Departamenti Alergologjisë

Alergologjia

ALERGOLOGJIA

Lista e mjekeve te ketij departamenti

Informacion i Përgjitshëm

Departamenti i Alergologjisë në Spitalin Hygeia Tiranë ofron shërbim të specializuar dhe bashkëkohor në diagnostikimin dhe trajtimin e të gjithë spektrit të sëmundjeve alergjike për të rritur dhe fëmijë të tilla si: 

Alergjia ushqimore

Alergjitë ushqimore prekin sot 4-6 përqind të fëmijeve dhe rreth 4 përqind të adultëve. Me shpesh alergjitë ndaj ushqimeve shfaqen herët në moshat pediatrike, por ato mund të prekin çdo moshë. Mund të ndodhë që alergjia ndaj ushqimit të fillojë edhe pasi ushqimi është konsumuar më parë dhe nuk janë shfaqur probleme imediate. Një reaksion alergjik ndaj ushqimeve ndodh kur sistemi imunitar reagon ndaj një ushqimi ose proteine ushqimore duke e konsideruar atë gabimisht si të rrezikshme. Një reaksion alergjik shoqërohet me shfaqjen e simptomave në lëkurë, në sistemin gastrointestinal, në atë kardiovaskular si dhe në traktin respirator.

Riniti alergjik

Riniti alergjik shoqërohet me teshtima të shpeshta, me bllokime të shpeshta të hundëve ose me shumë sekrecione, si dhe me ndjesi kruarje në zonën e syve, të gojës apo lëkurën përreth. Riniti alergjik mund të shfaqet në dy forma:

  • Sezonal: Simptomat mund të shfaqen në pranverë, në verë apo në fillim të vjeshtës. Këto shkaktohen kryesisht nga mbindjeshmëria ndaj alergeneve që ndodhen në ajër ku bëjnë pjesë sporet e mykut dhe polenet e barërave, pemëve dhe shkurreve. 

  • Gjithëvjetore: Njerëzit me rinit alergjik gjithëvjetor kanë simptoma gjatë gjithë vitit, të cilat shkaktohen kryesisht nga mikroorganizmat në pluhurin e shtëpisë, nga qimet e kafshëve shtëpiake, nga furrtaria si dhe nga myku.

Astma alergjike

Nëse keni shpesh vështirësi në frymëmarrje ose dëgjoni fishkëllima në gjoks gjatë frymëmarrjes, atëherë mund të keni astëm bronkiale – një gjendje kronike që shkakton inflamacion dhe ngushtim të bronkeve, të cilat janë rrugët që përcjellin ajrin në mushkëri. Nëse njerëzit me astëm ekspozohen ndaj substancës ndaj të cilës janë alergjikë ose ndaj situatave stresante, simptomat mund të përkeqësohen.

Alergjia tek sytë

Alergjia tek sytë ose e quajtur ndryshe konjuktiviti alergjik, ndodh kur substancat ndaj të cilave dikush është alergjik irritojnë konjuktiven e syrit. Zakonisht, këto simptoma, shoqërohen me teshtima, bllokim apo rrjedhje të hundëve, të cilat vijnë si rrjedhojë e rinitit alergjik. Alergjia tek sytë shoqërohet me këto simptoma: lotim i shtuar, të kruara dhe skuqje të syve, ndjeshmëri e shtuar ndaj dritës dhe enjtje e kapakëve të syve. Alergjia tek sytë shkaktohet nga të njëjtët faktorë si dhe riniti apo astma alergjike:

  • Alergenet në ambjentin e jashtëm si: polenet e barërave, pemëve dhe shkurreve 

  • Alergenet në ambjentin e brendshëm si: pluhuri i shtëpisë, myku apo kafshët shtëpiake

Dermatiti atopik (ekzema)

Dermatiti atopik është forma më e shpeshtë e ekzemës që prek rreth 10–20 përqind të fëmijëve dhe 1-3 përqind të të rriturve. Nëse lëkura juaj është e thatë, me zona të skuqura dhe të irrituara, që shoqërohen me të kruara, atëherë ju mund të keni dermatit atopik. Ndonjëherë, veçanërisht kur lëkura infektohet, mund të shfaqen puçrra të vogla të mbushura me lëng të pastër ose me ngjyrë të verdhë. Njerëzit me dermatit atopik kanë shpesh familjarë me forma të tjera alergjish. Disa njerëz me ekzemë kanë alergji ushqimore e cila përkeqëson simptomat.

Urtikaria

Urtikaria shoqërohet me puçrra të kuqe, të fryra që shfaqen mbi lëkurë kudo në trup. Urtikaria shfaqet në dy forma, akute dhe kronike. Urtikaria quhet akute kur shfaqja e simptomave nuk zgjat më shumë se 6 javë dhe kronike kur zgjat më shumë se 6 javë. Urtikaria akute shkaktohet më shpesh nga një infeksion ose nga ekspozimi ndaj një alergeni. Urtikaria kronike mund të zgjasë për disa muaj apo vite. Shkaku i urtikaries kronike shpesh mbetet i panjohur.

Dermatiti i kontaktit 

Dermatit kontakti quajmë reaksionin që ndodh në lëkurë kur lekura vihet në kontakt me një lëndë irrituese apo alergjike. Ky reagim i lëkurës shfaqet me simptoma të tilla si skuqje dhe flluska të cilat shoqërohen me djegie dhe të kruajtura. Dermatiti alergjik i kontaktit shfaqet nga kontakti me një substancë ndaj të cilës jeni alergjik. Këto mund të jenë përbëresit e parfumeve, metalet (ku përfshihet nikeli), substancat adezive, manikyret, medikamentet me përdorim lokal, disa bime dhe dorezat e gomës. Irritantet si uji, sapuni, detergjentët, zbutësit e rrobave dhe shampot janë shkaktarët më të shpeshtë të dermatitit të kontaktit irritues.

Alergjia nga medikamentet

Efektet anësore të medikamentetve janë të shumta dhe mënyra e shfaqjes tek njerëzit është e ndryshme. Nga këto vetëm 5-10 përqind ndodhin si pasojë e një reaksioni alergjik ndaj medikamentit. Nëse, pasi keni marrë nje medikament, ju shfaqen simptoma si skuqje në lëkure, urtikarie apo vështirësi në frymëmarrje, atëherë mund të keni të bëni me një alergji medikamentoze. Ashtu sic ndodh edhe me reaksionet e tjera alergjike, kjo shfaqje ndodh kur sistemi imunitar bëhet i ndjeshëm ndaj substancave përbërëse të medikamentit. Këto konsiderohen gabimisht si të rrezikshme dhe sistemi imun reagon për tu mbrojtur.

Simptomat janë:

  • Skuqje e lëkurës apo urtikarie 

  • Të kruara 

  • Fishkëllima në gjoks apo probleme të tjera me frymëmarrjen 

  • Enjtje 

  • Anafilaksia, një reaksion kërcënues për jetën, që prek njëkohësisht dy ose më shumë sisteme organesh në trup (p.sh. kur kemi njëkohësisht skuqje të lëkurës dhe vështirësi në frymëmarrje)

Departamenti i Alergologjisë ofron një program të plotë dignostikues dhe trajtues për pacientët me sëmundje alergjike duke përfshirë shërbimin ambulator, kujdesin ditor apo edhe pacientët e hospitalizuar(të shtruar). Ky department bashkëpunon ngushtë, duke organizuar konsulta te përbashkëta edhe me Departamentet e tjerë të Spitalit.

 Për më tepër informacion ju ftojmë të lexoni artikujt në vijim:

 

Stafi i Mjekeve

Departamente

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al