Gastroenterologjia

Departamenti i Gastroenterologjisë i Spitalit Hygeia Tiranë është i specializuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të traktit(aparatit) tretës. Stafi i Mjekëve të këtij Departamenti, me një eksperiencë të gjatë profesionale, diagnostikojnë dhe trajtojnë patologjitë që kanë të bëjnë me pankreasin, ezofagun, stomakun, zorrën e hollë dhe kolonën(zorrën e trashë). Ky Departament është i pajisur me aparatura të teknologjisë së fjalës së fundit të kësaj fushe, të cilat krijojnë lehtësira dhe saktësi gjatë ekzaminimeve endoskopike si për pacientin ashtu edhe për stafin mjekësor, duke mundësuar ofrimin e një shërbimi optimal. Në këtë Department, proçedurat endoskopike, (të cilat janë proçedura shumë të sigurta dhe të përshtatshme për pacientin, ku përdoret një tub fleksibël dhe i gjatë me një kamera të instaluar në fund të këtij tubi, i cili inserohet në brendësi të trupit të pacientit për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet e ndryshme që paraqet pacienti), zakonisht realizohen duke i aplikuar pacientit një anestezi të lehtë, e cila i garanton pacientit një proçedurë komode, të sigurt dhe njëkohësisht edhe të saktë.

Çfarë është ekzaminimi endoskopik i traktit të sipërm intestinal (ezofagogastroduodenoskopia) 

Ekzaminimi i traktit të sipërm intestinal është proçedura e cila shërben për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet që ju mund të keni në traktin e sipërm gastrointestinal dhe përkatësisht të mukozës së ezofagut,stomakut dhe duodenit. Kjo proçedurë realizohet duke përdorur një tub të gjatë dhe fleksibël, i cili është i përbërë nga lente optike dhe në majë të tij ka të instaluar një kamera dhe dritë e cila transmeton pamjet në një monitor të jashtëm, duke i dhënë mundësi mjekut gastroeneterolog të shohë pamjet gjatë ekzaminimit. Gjatë proçedurës  mjeku me ndihmën e instrumentave speciale, të cilët vendosen në kanalin e posaçëm të endoskopit, krahas ekzaminimit arrin të kryejë edhe proçese të tjera të tilla si marrje materiali për biopsi, të heqë pjesë ushqimi të cilat mund të kenë ngecur diku në këtë trakt, ose në varësi të rastit, kirurgji endoskopike, të hapë (lirojë) zona të ngushtuara etj. Të gjithëve na ka ndodhur një herë në jetë të kemi patur shqetësime nga stomaku,për shkak të ndonjë ngrënie të bollshme, kemi ndjerë djegie, fryrje barku, gromësima, ndjesi nauze, ngopje të menjëhershme. Nëse këto simptoma janë frekuente (të shpeshta) atëherë ju duhet të drejtoheni për të marrë një mendim të specializuar nga mjeku gastroenterolog. Kjo proçedurë është e rëndësishme të kryhet në rradhë të parë sepse diagnostikon dhe trajton problemet që hasen në aparatin tretës dhe ndërkohë ndihmon në parandalimin e neoplazive (tumoreve) digjestive.

Për çfarë shërben kjo proçedurë endoskopike?

• Për të identifikuar arsyet e prezencës së simptomave të caktuara

Kjo proçedurë ndihmon mjekun gastroenterolog të përcaktojë arsyen e simptomave apo ankesave që ju mund të keni, të tilla si:

o Ndjesi nauze apo të vjella të vazhdueshme me natyrë të pashpjegueshme

o Dhimbje në pjesën e sipërme të abdomenit(barkut)

o Vështirësi në gëlltitje

o Gjakrrjedhje gastrointestinale

o Rënie e pashpjegueshme në peshë

• Diagnostikim 

Mjeku gastroenterolog do të përdorë endoskopin për të marrë material indor(biopsi) i cili më pas do të dërgohet për t’u analizuar në laboratorë të çertifikuar për t’u analizuar për  anemi, gjakrrjedhje, inflamacione, diarre, ose kancer të sistemit digjestiv.

• Trajtim 

Me anë të instrumentave të posaçëm, të cilët vendosen tek endoskopi në ullukun e posaçëm që ka, mjeku arrin të trajtojë probleme të sistemit digjestiv të tilla si: djegie të një enë gjaku për të ndaluar gjakrrjedhjen, hapjen e një ngushtice të krijuar në ezofag, heqjen e një polipi apo ndonjë trupi tjetër të huaj që mund të ketë ngecur etj. Kjo lloj proçedure endoskopike është një proçedurë shumë e sigurt dhe shumë rrallë mund të mbartë ndonjë lloj komplikacioni.

Si të përgatitemi për të kryer proçedurën e gastroskopisë? 

• 8 orë përpara se të kryeni këtë proçedurë ju nuk duhet të konsumoni asnjë lloj ushqimi apo pije, në mënyrë që stomaku juaj të jetë bosh në momentin e ekzaminimit.

• Disa ditë përpara kryerjes së proçedurës ju nuk duhet të merrni medikamente të cilat shërbejnë për hollimin e gjakut. Këto medikamente mund të rritin rrezikun e gjakrrjedhjes në proçedurat endoskopike. Nëse ju vuani nga sëmundje kronike të tipit diabet, ose tension i lartë, atëhere ju duhet të vini në dijeni mjekun gastroenterolog dhe ai do t’ju instruktojë në lidhje me marrjen e këtyre medikamenteve përpara se ti nënshtroheni kësaj proçedure.

• Ju duhet të bëni me dije mjekun edhe në rast se merrni mjekime apo suplemnte të tjera përpara kryerjes së proçedurës.

A është e dhimbshme proçedura? 

Gastroskopia është një ekzaminim paksa bezdisës, por jo i dhimbshëm, sidomos në kushtet e spitalit tonë, ku kjo lloj proçedure kryhet me teknika bashkëkohore, duke përdorur edhe sedacion (gjumvënie) me qëllim që pacienti të jetë sa më komod gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj. Proçedura zgjat 15 minuta. Në rastet kur përdoret sedacion është e këshillueshme që pacienti të jetë i shoqëruar nga familjarët e tij, në mënyrë që të shoqërojnë pacientin për në shtëpi pas përfundimit të proçedurës. Pacientët që i janë nënshtuar këtij ekzaminimi endoskopik me sedacion nuk u lejohet të drejtojnë makinën.

A MUND TË KRYHET KY EKZAMINIM EDHE NËSE NUK KA SIMPTOMA APO ANKESA? 

Ky ekzaminim këshillohet të kryhet edhe në raste kur nuk kemi ankesa apo simptoma dhe bëhet akoma më i domosdoshëm në rastet e një trashëgimie familjare, pra kur një nga familjarët e ngushtë ka vuajtur nga tumor i ezofagut apo stomakut, sepse në këta persona rreziku i prekjes nga e njëjta sëmundje është shumë më i lartë.

Për më tepër informacion mbi këtë departament, jeni të lutur të lexoni artikullin si më poshtë:

http://www.hygeia.al/al/hygeia/artikuj-mjekesor/247-gelltiti-instrumentin-dentar-te-riut-i-hiqet-trupi-i-huaj-nga-muret-e-zorres-se-holle-pa-komplikacione

Ҫfarë është Kolonoskopia? 

Kolonoskopia është ekzaminimi i cili shërben për të diagnostikuar ndryshimet ose anomarlitet që hasen në kolonë (zorrën e trashë) ose rektum. Kjo proçedurë realizohet duke përdorur një tub të gjatë dhe fleksibël i cili quhet Kolonoskop. Tubi në krye të tij ka të instaluar edhe një kamera e cila është e lidhur me një monitor të jashtëm duke i mundësuar mjekut pamjet e brendësisë së zorrës së trashë. Gjatë ekzaminimit me kolonoskop, nëse e shikon të nevojshme, mjeku gastroenterolog mund të heqë polipe ose inde anormale, për të cilat merr edhe material për biopsi të cilat dërgohen për tu ekzaminuar në Laborator. Kolonoskopia si proçedurë zgjat nga 20 minuta deri në një orë maksimumi.

Në cilat raste rekomandohet të kryhet Kolonoskopia? 

Kolonoskopia, siç e theksuam edhe më lart shërben për të identifikuar problemet që në lidhje me zorrën e trashë përfshirë edhe identifikimin e kancerit të zorrës së trashë në fazat e hershme, inde të inflamuara, ulçera etj. Kolonoskopia është ekzaminimi i cili përdoret si ekzaminim depistues për detektimin e Kancerit Kolorektal. Pra Kolonoskopia rekomandohet të kryhet pavarësisht nëse keni apo jo ankesa apo simptoma të caktuara, sepse në këtë mënyrë arrin të diagnotstikohet kanceri kolorektal në fazat e hershme të tij, pasi ekzaminimi i hershëm shpëton jetë. Kolonoskopia si ekzaminim kryhet për të kontrolluar dhe për të trajtuar patologjitë si më poshtë:

• Polipe

• Tumore

• Ulçera

• Infamacione

• Colon polyps

• Ngushtime në zorrë

• Ose heqjen e trupave të caktuar që identifikohen gjatë ekzaminimit

Kolonoskopia mund të përdoret edhe për të gjetur shkaqet e një diarreje kronike të pashpjegueshme apo edhe si ekzaminim rikontrolli për personat që janë trajtuar për kancer të zorrës së trashë ose edhe për arsye të tjera sipas vlerësimit të mjekut specialist.

Mënyra e përgatitjes për Kolonoskopinë. 

Përpara se të paraqiteni për të kryer Kolonoskopinë ju duhet të jeni të parapërgatitur për këtë ekzaminim, parapërgatitje e cila konsiston në zbrazjen (pastrimin) totale të zorrës së trashë. Nëse zorra nuk është plotësisht e boshatisur kjo mund të jetë një arsye që mjeku nuk do të arrijë të ekzaminojë në mënyrë optimale të gjithë brendësinë e zorrës. Si duhet të veprojmë për zbrazjen e zorrës së trashë?

• Ndjekja e një diete të veçantë një ditë përpara ekzaminimit – Një ditë përpara ekzaminimit ju nuk duhet të konsumoni ushqime të forta. Duhet të pini vetëm lëngje pa ngjyrë ose me ngjyrë të qartë të tilla si ujë, çajra të ndryshëm, kafe pa qumësht. Evitoni pirjen e pijeve me ngjyrë të kuqe apo të murrme, të cilat mund të ngjasojnë dhe të merren si rrjedhje gjaku gjatë kolonoskopisë. Pas orës 24, në mesnatë, ju nuk duhet të konsumoni më ushqime dhe 3 orë përpara ekzaminimit ju duhet të ndaloni edhe marrjën e lëngjeve nga goja.

• Marrja e një laksativi – Mjeku gastroenterolog do t’ju rekomandojë marrjen e një laksativi dhe do t’ju instruktojë ju mbi mënyrën e marrjes se këtij laksativi i cili do t’ju ndhmojë ju në proçesin e zbrazjes së zorrës përpara kryerjes së Kolonoskopisë.

• Informacion mbi medikamentet që ju merrni – Mos harroni të informoni mjekun gastroenterolog mbi medikamentet që ju keni marrë të paktën deri në një javë përpara kryerjes se ekzaminimit, sidomos nëse ju mjekoheni për diabet, tension të lartë ose keni probleme me zemrën, ose nëse merrni mjekime apo suplemtet me përmbajtje hekuri. Po kështu informoni mjekun në rast se ju merrni aspirinë ose mjekime të tjera për hollimin e gjakut ose koagulantë etj.

Ҫfarë ndodh pas kryerjes së Kolonoskopisë? 

Pas kryerjes se Kolonoskopisë ju do të qëndroni nën observimin e stafit mjekësor deri në momentin që do të kalojë efekti i sedacionit (anestezisë), rekuperim i cili zgjat në varësi të anestëzisë së aplikuar sipas rastit. Vetëm pasi parametrat tuaja të jenë stabilizuar atëherë ju mund të lini ambientet e spitalit dhe të shkoni në shtëpi, por gjithmonë rekomandohet që të jeni i shoqëruar nga një prej familjarëve tuaj. Është e ndaluar të drejtoni vetë makinën. Ju mund të hani gjithçka që mund të tolerojë organizmi juaj. Ju nuk duhet të pini alkool për të paktën 24 orë pas kësaj proçedure, por ndërkohë duhet të konsumoni lëngje për të zëvëndësuar lëngjet e humbura gjatë përgatitjes për Kolonoskopinë. Pas ekzaminimit ju mund të keni gazra ose krampe të cilat janë normale pas proçedurës. Në rast se keni temperaturë, mbetje gjaku gjatë jashtëqitjes, dhimbje beli (abdominale), ndjeni rëndesë në bel, atëherë ju duhet të kontaktoni menjëherë me mjekun gastroenterolog i cili në varësi të rastit do t’ju japë instruksionet e duhura.

Baloni Gastrik, proçedura innovative jokirurgjikale që ndihmon rënien në peshë

Obeziteti është kthyer në një fenomen gjithmonë e më të përhapur i kohëve moderne që po jetojmë dhe të qenit në formë apo të paturit të një peshe ideale është një nga sfidat tona të përditshme. Jo pak herë ndodh, që për arsye të mosmarrjes me aktivitet fizik, jetës sedentare, kequshqyerjes apo edhe një sërë faktorësh të tjerë, të marrim peshë e cila është edhe shumë e vështirë për t’u kthyer përsëri në peshën tonë ideale. Një nga alternativat e shpejta që i jep zgjidhje këtij problemi janë edhe një sërë proçedurash mjekësore që aplikohen.

Nisur nga numri gjithmonë në rritje i kërkesës së pacientëve për këto lloj proçedurash dhe trajtimesh mjekësore, kundër obezitetit, Spitali Hygeia Tiranë së fundmi ka nisur të aplikojë proçedurën inovative, jo kirurgjikale, atë të Balonit Gastrik Spatz3.

Ҫfarë është dhe si funksionon kjo proçedurë?

Kjo procedurë konsiston në vendosjen në stomak të një baloni të butë, i cili kalohet në stomak në rrugë endoskopike, pra me ndihmën e gastroskopit, proçedurë e ngjashme me atë të një gastroskopie të thjeshtë. Si e tillë, kjo proçedurë kryhet në kushte ambulatorike, zgjat jo më shumë se 20-30 minuta dhe është shumë efikase dhe ndër proçedurat më të sigurta që aplikohen për rënien nga pesha. Baloni i vendosur do të mbahet nga pacienti për një periudhe 6 mujore.

Duke qenë se zë një hapësirë të konsiderueshme të stomakut, pacienti, gjatë kësaj periudhe, redukton në mënyrë të konsiderueshme sasinë e ushqimit që merr, dhe në fund të periudhës 6-mujore pacienti ka një rënie të konsiderueshme prej rreth 10-14 kile.

Pas periudhës 6-mujore realizohet heqja e balonit, proçedurë e cila kryhet po në kushte ambulatorike dhe me ndihmën e gastroskopit.

Avantazhet që ofron Baloni Gastrik:

Kjo procedurë ofron një sërë avantazhesh krahasuar me procedurat e tjera kirurgjikale të tilla si ato të, bypass gastrik, palosja gastrike, unaza etj, dhe përkatësaisht:

  • Ёshtë proçedurë jokirurgjikale, miniinvazive (nuk aplikohet anestezi e përgjithshme)
  • Zgjat shumë pak dhe brenda ditës pacienti kthehet në shtëpi,
  • Ёshtë procedurë e sigurt dhe më e rëndësishmja shumë efikasë dhe rezultative

Për më tepër informacion mbi këtë proçedurë, jeni të lutur të lexoni artikullin si më poshtë:

http://185.53.100.222/en/hygeia-2/news-articles/67-baloni-gastrik-procedura-bashkekohore-jokirurgjikale-qe-ju-ndihmon-te-bini-nga-pesha

More Doctors From : Gastroenterologjia

Dr. Plarent Kapo

Dr. Plarent Kapo

Gastroenterolog
Dr. Stela Taçi

Dr. Stela Taçi

Gastro-Hepatolog