Artikuj mjekësor

ҪFARË DUHET TË DIMË MBI RINITIN DHE ASTMËN ALERGJIKE

Cilat janë problemet e alergjisë në rrugët e frymëmarrjes dhe sa të përhapura janë ato sot në botë?

Simptomat e alergjisë ne rrugët e frymëmarrjes shfaqen si një reaksion alergjik ndaj substancave që qarkullojnë në ajër si; proteinat e kafshëve shtëpiake, pluhurave të shtëpisë, polenit apo mykut.

Sipas ekspertëve, një reaksion alergjik e ka bazën në sitemin tonë imunitar.

Sistemi ynë imunitar na mbron nga organizmat e jashtëm, të cilët pasi hyjnë në trupin tonë shkaktojnë sëmundje. Në personat alergjik sistemi imunitar reagon ndaj substancave të padëmshme duke i konsideruar ato gabimisht si të dëmshme, substanca këto që ndryshe njihen me emrin alergen.

Riniti ose rrufa alergjike është një inflamacion kronik i hundës që e ka bazën në reagimin e sistemit imunitar nëpërmjet prodhimit të të ashtuquajurave antitrupa IgE. Astma bronkiale është një sëmundje kronike e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, që sidomos te fëmijët, në shumicën e rasteve është e lidhur me alergjinë. Rrisk më të lartë për t’u prekur nga astma kanë personat që kanë ose kanë patur rinit alergjik, ekzemë apo dermatit atopik, alergji ushqimore si dhe ata që kanë patur ose kanë histori familjare (të afërm) që vuajnë nga astma. Bazuar në statistikat në rang botëror kemi rreth 400 milion raste personash të prekur nga Riniti alergjik, ndërkohë që me astëm bronkiale janë rreth 300 milion, fëmijë dhe të rritur të prekur nga kjo sëmundje.

Këtu duam të nënvizojmë faktin që numri i atyre që vuajnë nga këto dy forma alergjie është duke u rritur ndjeshëm vitet e fundit, qoftë në vendet e zhvilluara ashtu dhe në ato në zhvillim.

 

Cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes dhe si bëhet diagnostikimi?

Simptomat më të shpeshta te Rinitit Alergjik janë teshtimat, rrjedhja dhe bllokimi i hundëve, të krruara të hundës dhe të syve si dhe lotim i shprehur. Simptoma të tjera shoqëruese përfshijnë edhe dhimbje koke, dhimbje në fytyrë apo dhimbje veshi.

Pacientët që vuajnë nga astma bronkiale përjetojnë episode me fishkëllima në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, shtrëngim në gjoks dhe kollë, fenomene këto që ndodhin më shpesh gjatë natës apo herët në mëngjes.

Diagnoza e sëmundjeve alergjike vendoset vetëm nga mjeku alergolog, diagnozë e cila përcaktohet bazuar në historinë e sëmundjes si dhe në vlerësimin e alergjisë. Përcaktimi i substancave që shkaktojnë alergjinë bëhet nëpërmjet testeve alergjike në lëkurë apo dozimit të IgE-ve specifike në serum.

 

Ka lidhje midis rinitit alergjik dhe astmës?

Astma dhe riniti alergjik janë shfaqje të një sindrome dhe lidhen midis tyre me anë të shumë faktorëve. Siç u përmend edhe më lart, prania e rinitit alergjik është faktor rreziku për shfaqjen e astmës. Ёshtë vlerësuar se astma shfaqet në 10 - 40% të rasteve me rrufë alergjike. Nga ana tjetër, rreth 80% e pacientëve me astëm persistente janë të prekur njëkohësisht edhe nga riniti. Trajtimi i rinitit alergjik ka treguar se përmirëson edhe simptomat e astmës bronkiale.

 

Cilët janë shkaktarët dhe faktorët që përkeqësojnë rrufën dhe astmën alergjike?

Shkaktarët e simptomave janë proteinat që shkaktojnë alergji, të cilat ndryshe quhen alergenë. Alergenët më të shpeshtë të ambjenteve të brendshme janë mikroorganizmat në pluhurin e shtëpisë, kafshët shtëpiake dhe myku. Në alergenët e jashtëm përfshihen poleni i pemëve, ai i barërave të egra dhe poleni i shkurreve. Alergjia nga poleni shkakton rinitin sezonal sepse simptomat janë të lidhura me sezonin e polenizimit të bimëve. Pemët lëshojnë polenin zakonisht në fund të dimrit dhe në pranverë, barërat e egër në pranverë dhe në verë, ndërsa shkurret në vjeshtë.

Faktorë të tjerë rëndues të rinitit dhe astmës alergjike janë ndotja që ekziston në ambjentet e mbyllura ku mund të përmendim, tymin e duhanit apo lëndët e çliruara gjatë gatimit, si dhe ndotja e ajrit në ambjentin e jashtëm nga gazrat që lëshohen nga automjetet apo ato industriale. 

 

Ҫfarë mund të bëjmë që të përmirësojmë cilësinë e jetës për këta pacient?

Trajtimi i alergjisë në rrugët e frymëmarrjes fillon me edukimin e pacientit mbi problemin që ka dhe mënyrat si të shmangë kontaktin me alergenin përgjegjës që ka rezultuar nga testet alergjike.

Kështu psh nëse jeni alergjik nga mikroorganizmat që ndodhen në pluhurin e shtëpisë apo nga myku, duhet të merrni masa për të reduktuar këto alergenë në shtëpinë tuaj.

Për alegjinë nga poleni duhet të dini që poleni i bimëve qarkullon bashkë me erën për kilometra dhe kështu arrin kudo. Masat që rekomandohen për të shmangur polenin gjatë sezonit janë;  qëndrimi sa më pak jashtë, mbajtja e dritareve mbyllur dhe dushi pasi ktheheni në shtëpi që të largoni polenin që mund të keni në flokë dhe në trup.

Mjeku specialist alergolog mund të rekomandojë medikamente që ndihmojnë në qetësimin dhe kontrollin e simptomave të alergjisë.

Në rast se simptomat janë shumë shqetësuese për pacientin, ekspertët rekomandojnë fillimin e imunoterapisë specifike për alergjinë (vaksinën e alergjisë). Imunoterapia është një trajtim i sigurt që jep qetësim afatgjatë të simptomave të rinitit alergjik si dhe ul riskun për të zhvilluar astmën bronkiale.

Në çdo rast është e këshillueshme që të konsultoheni në mënyrë të rregullt me mjekët alergologë në mënyrë që fillimisht të keni një diagnozë të saktë dhe më pas të mbani nën kontroll sëmundjen.

 

Dr. Maria Zoto

Mjeke Alergologe/Imunologe Klinike

Tel: 04 23 90 000

FaLang Language Switcher

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al