Artikuj mjekësor

ÇFARË ËSHTË SËMUNDJA KRONIKE E VESHKËS

Sëmundja Kronike e Veshkave (Sëmundja Renale Kronike SRK) është një humbje progresive e funksionit të veshkave  e cila mund të kërkojë disa muaj apo vite për t’u zhvilluar.

Çdo veshkë përbëhet nga rreth 1 milion njësi filtruese të quajtura nefrone. Nëse nefronet dëmtohen, ato ndalojnë së punuari. Nefronet e shëndetshëm, përballojnë një ngarkesë shtesë pune për një kohë të caktuar. Por, nëse dëmtimi vazhdon, gjithnjë e më shumë nefrone humbin funksionin dhe në një moment të caktuar ata që mbeten nuk mund të filtrojnë gjakun mjaftueshëm për të na mbajtur të shëndetshëm.

 

Çfarë nuk duhet të harroni? 

  • Stadet e hershme të sëmundjes kronike të veshkave nuk shfaqin shenja dhe simptoma
  • Sëmundja kronike e veshkave zakonisht nuk shërohet, por mund të trajtohet
  • Diagnostikimi i hershëm rrit efektivitetin e trajtimit.
  • Analiza e gjakut dhe e urinës vlerësojnë funksionin e veshkës
  • SRK mund të shkaktojë ndalimin e plotë të funksionit të veshkës

 

Sëmundja e veshkës ka incidencë dhe rrezikshmëri të lartë por është e trajtueshme

- Incidencë e lartë

1 në 10 persona janë të prekur nga SRK dhe cdo vit miliona njerëz humbin jetën nga komplikacionet saj.

- Rrezikshmëri e lartë

Pasojat nga SRK janë:

  • Avancimi i saj drejt stadit të fundit të SRK që kërkon kryrjen e rregullt të dializës ose transplantit të veshkës për të jetuar.
  • Risk i lartë i vdekshmërisë së parakohshme si rezultat i sëmundjeve kardiovaskulare dhe insulteve cerebrale (goditjet në tru).

- E trajtueshme

Nëse SRK diagnostikohet herët dhe menaxhohet në mënyrën e duhur, ngadalësohet progresioni i saj i cili në disa raste mund edhe të stopohet.

 

Si matet funksioni i veshkës?

Indikatori kryesor i funksionit të veshkës është matja e kreatininës në gjak (produkt përfundimtar i trupit i prodhuar nga muskujt dhe ekskretuar nga veshkat). Rënia e funksionit të veshkave, çon në akumulim të kreatininës në gjak (matet nëpërmjet ekzaminimeve mjekësorë).

Shkallën e filtrimit të gjakut në veshka e masim më së miri me GFR (Ritmi i Filtrimit Glomerular). Me anë të këtij testi mjekët përcaktojnë nëse funksioni i veshkës është normal ose jo dhe nëse jo në çfarë niveli është ulur.

 

Stadet e Sëmundjes Renale Kronike

Zakonisht SRK fillon në mënyrë të fshehtë, të ngaladtë dhe progreson drejt sëmundjes renale përfundimtare pas disa vitesh. Stadet e SRK janë pesë, nga stadi i parë i cili përkon me fillimin e SRK, deri në të pestin që është stadi i avancuar. Në stadin e pestë të SRK është i domosdoshëm fillimi i terapisë zëvendësuese të veshkës: dializa ose transplanti renal.

Stadi

Përshkrimi

Niveli i GFR

Funksion normal i veshkave

Veshka të shëndetshme

90mL/min ose më shumë

Stadi 1

Veshka të dëmtuara me GFR normal ose të lartë

90ml/min ose më shumë

Stadi 2

Veshka të dëmtuara me ulje të lehtë të GFR

60 deri 89mL/min

Stadi 3

Ulje e moderuar e GFR

30 deri 59mL/min

Stadi 4

Ulje e avancuar e GFR

15 deri 29 mL/min

Stadi 5 (ESRD)

Pamjaftueshmëri e veshkave (Insuficencë)

Më pak se 15mL/min ose në dializë

GFR: Ritmi i Filtrimit Glomerular

 

Shkaqet e Sëmundjes Renale Kronike

Dy shkaktarët madhorë të SRK në vendet e zhvilluara janë diabeti dhe hipertensioni.

Shkaqe të tjera përfshijnë inflamacionin (glomerulonefritet), infeksionet (pielonefritet), kistet në veshka (polikistoza renale), mbajtjen për një kohë të gjatë të urinës në veshka siç janë bllokimet nga gurët në veshka etj.

Disa medikamente mund të shkaktojnë SRK, në veçanti ata që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve për një kohë të gjatë (antiinflamatorët-josteroide siç janë ibuprofeni, voltareni etj)

 

Shenjat dhe Simptomat e Sëmundjes Renale Kronike

 Një person mund të humbasë 90% të funksionit të veshkave përpara se të shfaqë simptoma. Disa nga simptomat e stadit të avancuar të SRK përfshijnë dobësi trupore, ulje e oreksit, enjtje e këmbëve, enjtje përreth syve në mëngjes, urinim me gjak, vlera të larta të tensionit që nuk stabilizohen, krampe muskulare (ngërce), tharje të lëkurës, kruarje të saj, mungesë përqendrimi dhe dëshire për të punuar etj.

 

Diagnostikimi i Sëmundjes Renale Kronike

 Në shumicën e rasteve SRK mbetet e padiagnostikuar ose diagnostikohet me vonesë, për shkak të klinikës së fshehtë që ajo paraqet.

Këto ekzaminime përfshijnë matjen e kreatininës, uresë, nivelit të sheqerit në gjak, matjen e kreatininës dhe albuminës në urinë. Më pas mjeku kalkulon funksionin total të veshkës (GFR) duke përdorur dhe disa nga të dhënat tuaja siç janë mosha, pesha, gjatësia.

 

Trajtimi i Sëmundjes Renale Kronike

Trajtimi i SRK ngadalëson ecurinë drejt sëmundjes renale kronike përfundimtare. Në stadet e para trajtimi është medikamentoz dhe kujdes i veçantë për dietën ushqimore.

Në stadet e avancuara të SRK kur funksioni i veshkës ulet, GFR<15 ml/min, produktet toksike grumbullohen në organizëm dhe shtohet sasia e lëngjeve të tepërta në trup. Në këtë stad duhet të kryhet dializa ose transplanti i veshkës.

Dializa dhe transplanti janë quajtur ndryshe terapi renale zëvendësuese, pasi ato përpiqen të “zëvendësojnë” funksionin normal të veshkave.

 

Transplanti i veshkës

 Terapia më e mirë për sëmundjen terminale të veshkës është transplanti renal. Konsiderohet i tillë pasi cilësia e jetës dhe mbijetesa është ndjeshëm më e lartë në pacientët e transplantuar sesa te ata që trajtohen me dializë.

Në përgjithësi shkalla e suksesit të transplantit është e lartë. Në transplantin me dhurues të gjallë, shkalla e suksesit gjatë vitit të parë të transplantit është 90-95%.

Suksesi afatgjatë është i mirë për pacientët e të gjitha moshave, pra jo vetëm moshat e reja por edhe pacientët në mosha të avancuara përfitojnë nga Transplanti, kjo në kuadër të jetëgjatësisë dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës.

 

Dializa

Veshkat e shëndetshme kryejnë një sërë funksionesh, pastrojnë gjakun nga toksinat dhe nxjerrin nga organizmi lëngjet e tepërta nëpërmjet urinës.

Kur veshkat nuk funksionojnë më, dializa zëvendëson funksionin pastrues të veshkave.

Ekzistojnë dy lloje të dializës:

Hemodializa realizon pastrimin e gjakut nga toksinat dhe lëngjet e tepërta nëpërmjet një makine dialize në të cilën gjaku pompohet nga trupi në filtrin e makinës (ku kryhet pastrimi) dhe më pas rikthehet sërish në organizëm. Kjo proçedurë kryhet në një qendër dialize, zakonisht tre herë në javë dhe seanca zgjat rreth 4 orë.

Dializa peritoneale është një formë tjetër dialize, e cila përdoret për të pastruar gjakun dhe larguar lëngjet e tepërta nga organizmi. Ajo funksionon me të njëjtin princip si hemodializa, por në këtë rast pastrimin e gjakut nuk e kryen filtri por membrana peritoneale. Kjo lloj dialize kryhet në kushte shtëpie dhe në këtë rast nuk jeni të varur nga qendra e dializës.

 

Dr Elvana Rista

Mjeke Nefrologe

Tel: 04 23 90 000

 

 

 

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al