Artikuj mjekësor

Çfarë duhet të dimë mbi Dermatitin Atopik

Organizata Botërore e Alergjisë i dedikoi këtë vit javën botërore të alergjisë rritjes së ndërgjegjësimit ndaj dermatitit atopic. Çfarë është dermatiti atopik?

Dermatiti atopik, i cili quhet ndryshe ekzeme ose rrjebull është sëmundja kronike më e shpeshtë e lëkurës. Ajo mund të shfaqet në të gjitha moshat, por është më e shpeshtë në fëmijëri. Shpesh shfaqet që në muajt e parë të jetës duke u bërë kështu manifestimi i parë i alergjisë tek fëmijët.  Dermatiti atopik prek në nivel global 5-30% të fëmijëve dhe 1-10% të adultëve.

Cilat janë simptomat e dermatitit atopik dhe si diagnostikohet?

Karakteristike në rrjebull është lëkura e thatë që shoqërohet me të kruara. Në zonat e acaruara lëkura është e ashpër, e skuqur, me flluska të vogla që lëngëzojnë. Në qoftë se këto simptoma persistojnë për kohë të gjatë, lëkura në këto zona paraqitet e trashë, me shenja të gërvishtjes dhe hiperpigmentim. Lëkura e thatë nxit të kruarat, të cilat rrisin më tej irritimin e lëkurës. Të kruarat mund të jenë shumë shqetësuese aq sa të vështirësojnë fjetjen.

Tek foshnjet dermatiti atopik shfaqet më shpesh në kokë dhe në fytyrë. Te fëmijet më të rritur dhe tek adultët është karakteristikë shfaqja në palosjen e bërrylave, gjunjëve dhe qafë.

Të gjitha këto karakteristika klinike ndihmojnë në vendosjen e diagnozës së dermatitit atopik. Testet e alergjisë ndihmojnë për të përcaktuar faktorët acarues, si dhe për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjeve të tjera alergjike bashkëshoqëruese.

 Cilat janë shkaqet e dermatitit atopik?

Dermatiti atopik është një sëmundje inflamatore e lëkurës në të cilën është prishur barriera mbrojtëse. Kjo bën që lëkura të humbi lagështinë dhe të bëhet e thatë. Këtu luan një rol të rëndësishëm trashëgimia. Në shumicen e rasteve, ata që vuajnë me dermatit atopik kanë një anëtar të familjes me dermatit, astëm apo rinit alergjik. Fëmijët me dermatit atopik mund të shfaqin alergji ushqimore, astëm ose rinit alergjik.

Ndër faktorët e jashtëm që ndikojnë në acarimin e dermatitit atopik përfshihen: detergjentët, ndryshimet e temperaturës dhe lagështisë në ambjent, alergenët ushqimorë në fëmijërinë e hershme dhe më pas alergenët e ajrit (mikroorganizmat e pluhurit të shtëpisë, polenët, epitelet e kafshëve shtëpiake), stresi etj.

Së fundi disa këshilla për trajtimin e dermatitit atopik

Qëllimi kryesor i trajtimit është përmirësimi i cilësisë së jetës. Nuk duhet të lejohet që simptomat të influencojne në ndjekjen e shkollës, punës apo aktivitet sociale. Gjithashtu është e rëndësishme që gjumi të bëhet i qetë.

Hapi i parë është shmangia e faktorëve irritues si detergjentët, sapunët e fortë, kimikatet. Duhet të përdoren rroba të buta, të shmangen temperaturat e larta dhe të ulëta në ambjent, të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës gjatë ekspozimit në diell, etj.

Edhe pse dermatiti atopik mund të acarohet nga ushqimet, vendimi për heqjen e ndonjë ushqimi nga dieta e fëmijës do të merret vetem pas konsultimit me mjekun alergolog. Gjithashtu mjeku alergolog mund të japë këshilla mbi shmangien e alergenëve të ajrit (mikroorganizmat e pluhurit të shtëpisë, polenet e bimëve, epitelet e kafshëve shtëpiake etj).

Përdorimi i kremrave hidratues është thelbësor në kujdesin ndaj dermatitit atopik. Ato duhet të aplikohen vazhdueshëm në lëkurë, por veçanërisht pas larjes.

Në trajtimin medikamentoz përfshihet trajtimi lokalisht me kortizonikë apo me inhibitorët e kalcineurinës, antihistaminikët oral, preparatet imunosupresor etj. Këto duhet të përdoren vetëm pas përshkrimit nga mjeku.

 

Dr.Maria Zoto

Mjeke Alergologe/Imunologe

Tel: 04 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al