Artikuj mjekësor

Stina e Verës, kënaqësitë dhe problemet që lidhen me shëndetin

Vendi ynë është i bekuar me një nga dhuratat më të çmuara që është Klima. Jetojmë në  një copëz të vogël të kësaj bote dhe kemi fatin të shijomë 4 stinët, privilegj të cilin nuk e gëzojnë shumë vende të tjera të botës.

Stina e verës është ajo periudhë e vitit kur të gjithë ne përjetojmë më shumë kënaqësi sepse bëjmë pushime më të gjata, argëtohemi, bëhemi më social, dita është më e gjatë dhe kemi më shumë mundësi të shijojmë kohë jashtë me shoqërinë dhe familjen. Pra, çdonjeri prej nesh  kupton se stina e verës është edhe stina e kënaqësive, por nga kënaqësitë shpesh vijnë dhe gabimet që lidhen me stinën e verës apo neglizhencat që të gjithë ne mund të bëjmë në lidhje me kujdesin ndaj shëndetit.  

Por, cilat janë disa nga problemet shëndetësore që lidhen me këtë stinë dhe shkaqet e tyre?

Siç e theksova edhe më lart, gjatë stinës së verës ne jemi më të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit dhe të nxehtit, shpenzojmë kohë më të gjatë në ambjente të jashtme me miqtë, konsumojmë më shumë pije dhe ushqime të gatshme, të cilat në jo pak raste përgatiten dhe ruhen në kushte jo të përshtatshmeduhura, udhëtojmë më shumë, etj. Këta janë faktorë që, në rast se nuk tregohet kujdesi i duhur, mund të ndikojnë negativisht mbi shëndetin tonë duke prekur secilin nga ne në rast se nuk tregohemi të kujdesshëm. Por gjithësesi, për disa kategori të caktuara personash si fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, imunodeficitarët etj, këto probleme janë më prezente dhe si të tilla edhe kujdesi duhet të jetë maksimal.

Disa nga problemet më të shpeshta janë:

Dehidrimi: Një ndër pasojat e ekspozimit ndaj temperaturave të larta ( të nxehtit) për një kohë të gjatë është dehidrimi, humbja e lëngjeve të trupit, si pasojë e të cilës ndodh edhe trashja e gjakut. Dehidrimi ndikon negativisht në funksionet organore të trupit, sidomos te ata persona që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkës etj, dhe në të tilla raste shoqërohen me çekuilibrime jo të vogla në organizëm.

Goditja nga dielli (Heat Stroke): Nga qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet e  diellit apo kryerja e aktiviteteve sportive në temperatura të larta shkakton atë që në gjuhën mjekësore njihet si goditja nga dielli(Heat Stroke), e cila kategorizohet si urgjencë mjekësore. Goditja nga dielli shoqërohet me temperaturë shumë të lartë trupore, çrregullime hemodinamike të mprehta, çrregullime metabolike si dhe turbullime të niveleve të ndryshme të ndërgjegjes.

Djegia e Lëkurës: Një tjetër pasojë nga qëndrimi për një kohë të gjatë në diell, sidomos nëse nuk aplikoni mbrojtësit e duhur të lëkurës, kremra me faktor mbrojtës, krijon atë që quhet djegia nga dielli, problem ky jo i lehtë dhe që ndikon edhe në agravimin e disa sëmundjeve të lëkurës.

Infeksionet ushqimore: Në Verë, për arsye të vapës dhe djersitjes,  kemi një rritje drastike në konsumimin e lëngjeve përfshirë këtu ujë,lëngje frutash, pije alkoolike etj. Po kështu duke qenë se Vera është edhe periudha e pushimeve dhe qëndrimeve me orare të zgjatura jashtë ambienteve të shtëpisë, nën shoqërinë e miqve,  jemi të prirur të konsumojmë më shumë ushqime të gatshme si dhe të frekuentojmë më shumë restorantet apo edhe fast food-et. Por kujdes, në rast se këto ushqime nuk ruhen apo gatuhen në kushte të caktuara, në përputhje me masat e sigurisë ushqimore, për shkak të temperaturave mjaft të larta, ka rrezik të madh për kontaminimin e tyre, duke  shkaktuar infeksione që grupohen në infeksione të lidhura me ushqimet dhe pijet e kontaminuara. Në temperatura te larta krijohen kushte më të favorshme për shumëzimin e bakterieve si dhe përhapjen e tyre. Besoj se edhe nga eksperienca e çdonjërit nga ne në jetë na ka ndodhur që nga pijet dhe ushqimet e pasigurta mund të kemi vuajtur nga  infeksione të traktit tretës që njihen si; bark dhe të vjella, apo helmime ushqimore. Situata të tilla i favorizon edhe konsumimi i frutave të pyllit( të palara apo të paqëruara) apo edhe frutave të detit, që shpesh herë preferohen të konsumohen të papërpunuara pra të pagaturara (krudo) .

Pickimet nga insektet apo kafshime: Kënaqësinë në stinën e verës e shprehim edhe me udhëtimet e shpeshta dhe të gjata. Por udhëtime të tilla krahas kënaqësisë që na dhurojnë na ekspozojnë për një kohë të gjatë jo vetëm ndaj të nxehtit, por duke shkuar në vende të ndryshme mund të rritet edhe mundësia e ekspozimit ndaj pickimeve nga insekte apo zvarranikë të  ndryshëm si mushkonja, këpusha, grenza, gjarpërinj, etj. të cilat bëhen shkak infektimesh nga bakterie, viruse, toksina mjaft të rrezikshme për jetën.

Atëherë, çfarë mund të bëjmë që kënaqësia e Verës mos të na kthehet në mërzi?

Ja disa rekomandime si të përkujdeseni për veten:

Në këto ditë të nxehta vere, për të evituar që trupi të dehidrohet(pra të humbasë lëngje), duhet të pini sa më shumë lëngje, ku si zgjedhje primare të jetë uji. Por tregoni kujdes me ujin, duhet të jetë i kontrolluar dhe i pastër.

Pakësoni orët e gjata të ekspozimit në diell, sidomos në orët ku rrezet janë më të rrezikshme, midis orëve 11:00 – 17:00.

Mbani veshur veshje të gjëra, të lehta,mundësisht të pambukta dhe me ngyra të hapura.

Përdorini syze për të mbrojtur sytë dhe kapele për kokën.

Mënyra më e thjeshtë për të parandaluar infeksionet me origjinë ushqimore, pra ato që lidhen me pijet apo ushqimet, është larja e duarve, mbajtja e një higjene personale dhe ruajtja  e ushqimeve në frigorifer. Ushqimet që teprojnë nga vaktet duhet të ruhen në frigorifer dhe duhet të ruhen në ambjent të veçuar nga mishi apo peshku i ngrirë. Përpara se të vendosni të konsumoni ushqim jashtë shtëpisë, sigurohuni të zgjidhni vende ku tregtohen ushqime dhe pije të kontrolluara. Për kujtesë, jini të vëmendshëm edhe ndaj higjenës së personit që ju shërben (veshjen, dorezat) apo edhe kushtet e tregtimit (pastërtia dhe higjena e ambientit përreth, kushtet e ruajtjes së ushqimeve që ai/ajo tregton, etj). Refuzoni konsumin e ushqimit nga persona dhe vende që nuk plotësojnë kushtet normale të sigurisë ushqimore.

Rekomandime për tu mbrojtur nga pickimet apo kafshimet ?

Për disa shkaktarë infeksiozë rekomandohet kryerja e vaksinës siç është tetanozi për tërbimin, ndërsa për rastet e tjera të pickimeve ...... parandalimi më i mirë është kujdesi, pra duhet treguar  kujdes për të mos u ekspozuar, përdorni spërkatës kundra pickimit nga insektet dhe nëse jeni duke përjetuar ndonjë shenjë të tipit reaksion alergjik nga pickimi shoqëruar me puçra, enjtje, skuqje, vështirësi në frymëmarrje, atëherë duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore të specializuar.

Në Spitalin Hygeia Tiranë do të gjeni në çdo kohë  ndihmë të specializuar mjekësore dhe zgjidhje për çdo problem mjekësor që mund të keni.

Prof. Dr. Arben Pilaca

Mjek Infeksionist, Spitali Hygeia Tiranë

Drejtor i Mjekësisë Interne dhe Departamentit të Urgjencës

Tel: 04 23 90 000 / 04 23 23 000

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al