Artikuj mjekësor

Venat varikoze, trajtimi me metodat më bashkëkohore

Në muajt e verës shtohet vëmendja e njerëzve, sidomos femrave, për trajtimin e venave varikoze. Në këtë sezon shtohet edhe numri i pacientëve që vijnë të vizitohen për këtë problem. Arsyeja në shumicën e rasteve është e thjeshtë, me ngrohjen e kohës dhe ndërrimin e veshjeve, rritet preokupimi për paraqitjen estetike të këmbëve. Pjesërisht ka edhe një arsye shëndetësore, me ngritjen e temperaturave shtohen shqetësimet që sjellin venat varikoze. Por, që të arrihen në maksimum efektet estetike të trajtimit, cilido qoftë ai, duhet kohë, ndaj paraqitja tek mjeku në verë nuk është e përshtatshme. Kujdesi për venat varikoze duhet të fillojë muaj më parë, që në verë të kemi paraqitje më estetike.

Aspekti mjekësor dhe estetik i sëmundjes

Janë dy këndvështrime të ndryshme për këtë sëmundje, ai i pacientit dhe ai i mjekut. Për shumicën e pacienteve femra venat varikoze janë një sëmundje shumë jo estetike, madje një pjese e madhe e pacienteve shqetësohen më shumë për kapilarët e hollë e të kuq në kofshët dhe prapa gjurit (që në gjuhën mjekësore njihen me termin teleangiektazi) sesa për vena të mëdha dhe që ndodhen nën lëkure e duken vetëm si fryrje apo relieve, ndërkohë që nga ana mjekësore është krejt e kundërta. Venat varikoze janë të shkallëve të ndryshme. Sa më të mëdha të jenë, aq më i madh është rreziku për komplikime. Kapilarët pothuaj nuk shkaktojnë simptoma, pavarësisht sesa të përhapur janë, ndërsa venat varikoze të mëdha mund të shkaktojnë tromboza apo plagë në kërcinjtë, pasojat e te cilave ndonjëherë janë të pariparueshme.

Venat varikoze janë një sëmundje progresive

Sëmundja e venave varikoze lidhet me një dobësi të murit të venave. Kjo është një situatë që nuk mund të modifikohet, ndaj sëmundja është progresive, që do të thotë se një pacient me vena varikoze do të ketë nevoje gjatë jetës për disa trajtime. Natyrisht, pas një trajtimi gjendja përmirësohet dhe mundësia e komplikimeve, por edhe shkalla e përparimit të sëmundjes ulet ndjeshëm.

Përsëritja e venave varikoze

Kjo është e mirënjohur në popull, madje ka shumë paciente që tërhiqen nga trajtimi me argumentin që sëmundja përsëritet. Natyrisht kjo është e gabuar. Se pari, synimi i trajtimit është përmirësimi i gjendjes aktuale të venave dhe parandalimi ikomplikimeve, jo parandalimi i sëmundjes. Nëse sëmundjen e lëmë pa trajtuar, ajo do përparojë më shumë dhe pasojat do të jenë më të rënda. Nëse trajtimi bëhet i bazuar në ekzaminimin korrekt, mundësia e rishfaqjes së variceve në të njëjtën shkallë si para trajtimit është shume e vogël. Sa më i vonuar trajtimi, aq më e komplikuar është sëmundja dhe si rrjedhim rezultati që merret është më pak i bukur dhe mundësia e përsëritjes më e madhe.

Qëllimi i trajtimit

Venat varikoze mund të shkaktojnë dhimbje të këmbëve, ënjtje të tyre, ngërçe të pulpave gjatë natës. Trajtimi i tyre pakëson këto simptoma. Nëse sëmundja përparon, mund të shkaktohen komplikime si tromboflebite të venave, dëmtime të lëkurës në kërcinjtë, deri hapje plagësh shumë të vështira për t’u mbyllur. Arsyeja e dytë e trajtimit është pikërisht parandalimi i komplikimeve. Përmirësimi estetik i këmbëve është arsyeja e fundit, më pak e rëndësishme, e trajtimit të venave varikoze.

Trajtimi duhet të sigurojë së pari eliminimin e burimit të venave varikoze. Kjo zbulohet me ekzaminimin Eko Doppler. Pas këtij ekzaminimi bëhet plani për trajtimin e venave varikoze.

Metodat e trajtimit

Tri janë llojet bazë të trajtimit të venave varikoze: ablacioni termik, skleroterapia dhe kirurgjia.

Metodat më të përdorura sot në botë janë ato termike. Këtu përfshihen Radiofrekuenca dhe Lazeri. Që të dyja këto metoda realizojnë mbylljen e venës burim të venave varikoze me energji termike përmes futjes në venë të një sonde. Trajtimi bëhet me anestezi lokale, pa prerje dhe nuk ka nevojë për shtrim në spital. Kur venat varikoze janë të mëdha, këto metoda përdoren të kombinuara me mikrokirurgji ose me skleroterapi.

Trajtimi me skleroterapi është me i përshtatshëm për venat e vogla varikoze, si plotësim i metodave të tjera ose në rastet kur ka përsëritje të venave varikoze pas një trajtimi të mëparshëm. Synimi është mbyllja e venave varikoze duke injektuar brenda tyre një lëndë kimike irrituese. Trajtimi me skleroterapi nuk ka nevojë për anestezi, as shtrim në spital, por bëhet në disa seanca me distancë 2-3 javë nga njëra-tjetra. Duhen disa seanca që të arrihet përmirësimi i gjendjes.

Kirurgjia është metoda më e vjetër dhe me invazive e trajtimit. Ajo kërkon shtrim në spital, anestezi dhe raport disa javore pas trajtimit. Kirurgjia sot përdoret në raste me vena varikoze shumë të zhvilluara ose me përhapje jo tipike.

Dr. Gentian Caco

Kirurg Vaskular

04 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al