Artikuj mjekësor

Veshi i Notarit/Otitis, çfarë duhet të dinë nënat për problemet e fëmijëve me veshët gjatë stinës së verës

 

Si çdo vit edhe këtë verë fëmijët do të kalojnë shumë kohë duke u larë dhe luajtur në pishinë apo në det. Nëse jeni prind, mund të jeni shumë të familjarizuar me dhimbjen dhe diskomfortin e veshit  te fëmijët, sidomos pas një fundjave të gjatë të kaluar në det duke notuar. Në varësi të moshës së fëmijës, simptomat që ato shfaqin mund të ndryshojnë, por rezultati, pra ankesat janë po të njëjtat: dhimbje, inflamacion dhe madje shumë herë e shoqëruar edhe me infeksion. Por, për të gjithë ju nëna, duke u informuar mbi shkaqet, parandalimin dhe mundësitë e trajtimit, ju mund të jeni të përgatitura në mënyrë që të dini si të veproni në rast se përballeni me një rast të tillë.  

Veshi i Notarit, ose otitis externa, është një inflamacion dhe infeksion i dhimbshëm i kanalit të veshit. Otitis externa mund të ndodh nga një shumëllojshmëri shkaqesh, por më së shumti, veçanërisht shfaqet tek fëmijët dhe shkaktar kryesor janë prezenca e ujit në vesh që vjen sidomos nga aktivitete të tilla si noti. Për fat të keq, pasi dikush diagnostikohet me veshin e Notarit, ka shumë gjasa që t’I përsëritet, pra të sëmuret sërish, prandaj është e rëndësishme të jemi të informuar.

Shenjat dhe simptomat

Simptoma kryesore e veshit të Notarit (otitis externa) është dhimbja e veshit, që mund të jetë shumë e rëndë dhe e ndjejmë më shumë sidomos kur tërheqim ose shtypim pjesën e jashtme të veshit, dhimbja ndihet gjithashtu edhe kur personi në fjalë përtypet. Për fëmijët, enjtja e kanalit të veshit mund t'i bëjë ata të ankohen për një ndjesi dhimbjeje në të gjithë veshin. Pjesa e jashtme e veshit mund skuqet dhe fryhet dhe nyjet limfatike rreth veshit mund të bëhen të mëdha dhe ndoshta të dhimbshme. Me raste mund të ketë edhe kullim të veshit.

Nëse simptomat lihen pa u trajtuar  mund të përkeqësohen, duke rezultuar në humbjen e përkohshme të dëgjimit. Kjo shkaktohet nga qelbi ose enjtja e kanalit që bllokon kalimin e zërit në vesh.

 

Shkaqet e Veshit të Notarit

Veshi i notarit mund të ndodhë kur brenda kanalit të veshit futen ujë, rërë, papastërti ose mbeturina të tjera.

Shkaqe të tjera të mundshme janë:

  • Kanali i veshit shumë i ngushtë ose me shumë qime
  • Shampo ose sapuni që mund të futet në kanalin e veshit
  • Dylli veshit i ngecur në vesh për shkak të përdorimit të pastruesve të veshit që e shtyjnë dyllin më thellë në vesh.
  • ‘Exostoses’, ose të quajtura ndyshe rritje kockore brenda në kanalin e veshit
  • Kufjet ose aparatet e dëgjimit që mbahen në vesh
  • Kruajtja e kanalit të veshit me pastrues veshi, me kapse flokësh, thonj ose me objekte të mprehta në përgjithësi
  • Probleme të lëkurës, siç është egzema, psoriasis ose seborrhea
  • Djersitja

 

Si të parandalojmë fenomenin e Veshit të Notarit ?

Ndiqni sugjerimet si më poshtë:

  • Gjithmonë thani veshët mirë, duke e shkundur kokën nga të dyja anët për të larguar të gjithë ujin që mund të ketë mbetur në vesh pas notit apo edhe larja në dush.
  • Përdorni pika të cilat duhet t’i merrni në farmaci. Pikat duhet të përmbajnë acid acetic ose alkool. Këto pika ndihmojnë në parandalimin e infeksionit të veshit..
  • Mos përdorni objekte për veshin përfshirë këtu edhe shkopat pastrues të veshëve.

 

Trajtimi i veshit të Notarit

Meqënëse otitis externa është një infeksion në një vend të vështirë dhe delikat ju rekomandojmë  për të marrë trajtimin  e duhur të drejtoheni te mjeku specialist ORL.

Gjithësesi,  në momentin e parë ju mund të vendosni një rrobë të ngrohtë te veshi i prekur si dhe përdorni Paracetamol ose Ibuprofen për të lehtësuar dhimbjen deri sa të shkoni te mjeku.  Mjeku  mund t’Ju rekomandojë edhe mbajtjen e tapave për veshët gjatë kryerjes së aktivitete në ujë.

Kujdes, Veshi i notarit mund të jetë shumë i dhimbshëm. Nëse dyshoni se keni problem me veshin e Notarit, atëherë duhet patjetër të vizitoheni nga një mjek/e ORL.

 

DEPARTAMENTI I ORL-së

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: 04 23 90 000

Urgjenca: 04 23 23 000

 

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al