Artikuj mjekësor

Si të ruhemi nga helmimi prej Ushqimit në stinën e Verës, ja çfarë duhet të dimë

Helmimi nga ushqimi ndodh kur një individ konsumon ushqim i cili është i ndotur me baktere, viruse ose parazitë.

Ekzistojnë disa faktorë si lloji i ushqimit, lagështira, temperatura, pH si dhe higjena të cilët kur janë të favorshëm, lehtësojnë shtimin e mikroorganizmave duke shkaktuar kështu helmim.

E megjithatë helmimi nga ushqimi është plotësisht i parandalueshëm thjesht duke ndjekur këshillat e mëposhtme:

  • Shmangni ekspozimin e ushqimit në temperatura të larta:

Shanset për t’u helmuar nga ushqimi janë më të larta gjatë muajve të verës, pasi temperaturat e larta nxisin shtimin e mikroorganizmave duke rritur kështu edhe gjasat që kontaminimi të ndodhë.

Bakteret ushqimore shumohen shpejt në temperaturat 32-43°C. Në temperatura të larta, ushqimi prodhon nutrientë dhe lagështi të nevojshme që patogjenë të tillë si viruset, bakteret dhe mikroorganizmat e tjera që shkaktojnë sëmundje, të gjejnë kushtet e përshtatshme për shumim. Disa nga patogjenët më të zakonshëm që shkaktojnë edhe helmimin nga ushqimi janë Salmonella, Listeria, Toxoplasma, E. Coli, Norovirusi etj.

Parandaloni helmimin nga ushqimi duke i mbajtur ushqimet në frigorifer ose në akull. Ushqimi i lënë jashtë frigoriferit për më shumë se dy orë nuk është i sigurt për t‘u ngrënë. Në temperatura të larta, ushqimi nuk duhet të lihet jashtë për më shumë se një orë.

  • Mjaft e rëndësishme është edhe ruajtja e higjenës personale dhe e ushqimit gjatë përgatitjes, përpunimit dhe ruajtjes së tij:

Duart e papastra janë burim bakteresh të cilat mund të përhapen edhe tek ushqimi. Gjithashtu, kujdes të veçantë duhet të tregoni edhe në përzgjedhjen e ushqimeve (të ruhen në kushte të përshtatshme, higjenike dhe të jenë me origjinë të sigurt).

Simptoma fillestare e kontaminimit nga ushqimi zakonisht është diarrea. Simptomat shoqëruese mund të jenë; dhimbje  stomaku, dhimbje koke, marramendje, dhimbje muskulare, nauzea ose të vjellja. Në raste më pak të zakonta, disa lloje të helmimit nga ushqimi mund të shkaktojnë gjak ose mukus në jashtëqitje si dhe temperaturë të lartë. Simptomat mund të vonojnë disa orë deri në disa ditë për t‘u shfaqur.

Nëse simptomat si në vijim vazhdojnë, drejtohuni menjëherë te mjeku:

  • Gjak në të vjella ose jashtëqitje;
  • Diarre që zgjat më shumë se tre ditë;
  • Të vjella të shpeshta (pamundësi e organizmit për të mbajtur lëngjet);
  • Shenja dehidrimi, të tilla si marramendje, etje e tepruar, dhimbje të forta të barkut, dobësi ose mungesë urinimi dhe gojë të thatë;
  • Simptoma neurologjike të tilla si ndjesi shpimi në krahë, pamje e turbullt dhe dobësi muskulare;
  • Rrahje të shpejta të zemrës
  • Temperaturë mbi 38,5 ° C shoqëruar me ethe

Kujdes! Helmimi nga ushqimi mund të jetë me efekte shumë negative sidomos të personat e moshuar, veçanërisht ata me një ose më shumë patologji kronike. Humbja e vëllimit të ujit dhe elektroliteve për shkak të diarresë mund të çojë në dehidrim, si dhe probleme me veshkat, zemrën dhe muskujt për të moshuarit.

Gjithashtu fëmijët e vegjël dhe të gjithë ata që kanë një sistem imunitar të dobët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj helmimit nga ushqimi.

Mjekët rekomandojnë të konsumohen sa më shumë lëngje për t’u hidratuar. Po ashtu, rekomandohet shumë pushim si dhe shmangia e ushqimeve që përmbajnë qumësht, alkool, kafeinë, përqendrim të lartë të yndyrave dhe erëza.

Gjithmonë, konsultohuni me mjekun para marrjes së çfarëdolloj mjekimi kundër diarresë.

 

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al