Artikuj mjekësor

Infeksionet Urinare, çfarë janë dhe si trajtohen

Ҫfarë është trakti urinar?

Trakti urinar përfshin një grup organesh në trupin tonë të cilat formojnë urinën.

Trakti urinar përfshin:

  • Veshkat – 2 organe në formë fasuleje të cilat filtrojnë gjakun dhe formojnë urinën
  • Fshikëza urinare – një organ me formë tullumbaceje e cila mban urinën
  • Ureteri – 2 tuba të cilët transportojnë urinën nga veshkat në fshikëzën e urinës
  • Uretra – tubi i cili transporton urinën nga fshikëza jashtë trupit

 

Ҫfarë janë infeksionet urinare?

Infeksionet e traktit urinar, të quajtura ndryshe “ITU”, janë infeksione të cilat prekin fshikëzën urinare  ose veshkat. Infeksionet e fshikëzës urinare janë më të shpeshta se infeksionet e veshkave. Ato ndodhin kur mikrobet nga uretra kalojnë në fshikëzën urinare. Ndërkohë që infeksionet e veshkave ndodhin kur mikrobet kalojnë deri në veshka. Të dy llojet e infeksioneve, si të fshikëzës urinare edhe ato të veshkave hasen më shpesh te femrat sesa te meshkujt. Shumica e infeksioneve urinare te femrat nuk shoqërohen me komplikacione  dhe janë lehtësisht të trajtueshme në pak ditë, sajë trajtimit me antibiotikë. Ndërkohë te meshkujt infeksionet urinare mund të prekin edhe prostatën dhe për këtë nevojitet një trajtim me antibiotikë më i zgjatur në kohë.

Cilat janë shkaqet që çojnë në shfaqjen e Infeksionit të traktit urinar?

Bakteret (ndër më të zakonshmet E.Coli) normalisht nuk jetojnë në traktin urinar, por ato gjenden pranë uretrës si te femrat ashtu edhe te meshkujt(te ata të cilët nuk janë bërë cirkumcizium - synet).

Infeksionet e traktit urinar ndodhin kur bakteret ngjiten nga pjesa e fundit e uretrës drejt fshikëzës urinare ose edhe më sipër, në veshka.

Faktorët që ndikojnë në rritjen e rrezikut për të zhvilluar Infeksione Urinare janë:

  • Diabeti
  • Nëse keni kaluar infeksion në fshikëzën urinare ose në veshka gjatë 12 muajve të fundit
  • Jeta sexuale aktive
  • Nëse keni përdorur spermicide (si mënyrë parandalimi për shtatzëninë)
  • Në disa situata të caktuara, gjë që haset si te meshkuj ashtu edhe te femrat, të tilla si: gurët në veshka ose refluksi ureteral (kthimi i urinës mbrapsht) të cilat bllokojnë rrjedhjen e urinës nga veshka në rrugët urinare dhe rrisin mundësinë e infeksionit në veshka.

Ekziston edhe një predispozitë gjenetike për të zhvilluar infeksionet urinare dhe mbështetur në studimet e fundit vihet re një tendencë në rritje e këtyre rasteve. Bazuar në këto studime, persona të caktuar janë më të predispozuar për t’u prekur nga ITU pavarësisht mënyrës së jetesës dhe gjendjes së tyre shëndetësore.

 

Cilat janë simptomat e infeksioneve të fshikëzës urinare?

  • Dhimbje ose djegie gjatë urinimit
  • Urinim i shpeshtë
  • Nevoja për të urinuar menjëherë/urgjencë në urinim
  • Prezencë gjaku në urine

 

Cilat janë simptomat e infeksionit në veshka?

Përsa i përket Infeksionit në veshka disa prej simptomave janë njësoj me ato të infeksionit në fshikëzën urinare, por krahas tyre kemi edhe simptoma specifike si:

  • Temperaturë mbi 37.7oC (ethe e shoqëruar me të dridhura)
  • Dhimbje mesi
  • Të përziera ose të vjella

 

Si mund ta kuptoj nëse kam infeksion urinar?

Nëse keni simptomat/shqetësimet e lartpërmendura rekomandohet që të drejoheni për konsultë te mjeku specialist nefrolog, i/e cili/a pasi të jetë njohur me ankesat tuaja dhe ju ka kryer ekzaminimet e nevojshme ju jep diagnozën e saktë nëse keni apo jo infeksion urinar.

 

Si trajtohen infeksionet e traktit urinar?

Shumica e infeksioneve urinare trajtohen me antibiotikë, të cilat vrasin mikrobet që kanë shkaktuar infeksionin.

Nëse keni infeksion të fshikzës urinare , ju keni nevojë të merrni antibiotikë për 3-7 ditë. Në rast se keni infeksion të veshkave atëherë është e nevojshme të trajtoheni me antibiotikë për një kohë më të gjatë, deri në dy javë, por ka edhe raste kur mjeku e sheh të nevojshme trajtimin (mjekimin) në kushte spitalore, pra të shtroheni në spital.

Me fillimin e trajtimit me antibiotik, zakonisht, simptomat fillojnë të përmirsohen që prej ditës së parë të trajtimit, por kujdes, duhet të vazhdoni të merrni të gjithë mjekimin e rekomanduar nga mjeku ndryshe mund të kemi një rikthim të infeksionit.

Nëse është e nevojshme mjeku, për të lehtësuar dhimbjet në fshikëzën e urinës që vijnë si rrjedhojë e infeksionit, mund t’ju rekomandojë përdorimin e medikamenteve, të cilat krahas minimizimit të dhimbjes reduktojnë edhe nevojën për urinim të shpeshtë.

 

Ҫfarë duhet të bëj  nëse kam infeksione të shpeshta të traktit urinar?

Fillimisht duhet të kontaktoni me mjekun specialist për t’u siguruar që simptomat tuaja janë infeksione të traktit urinar apo jo, pasi mund të jenë të lidhura edhe me probleme të tjera shëndetësore (si psh. te femrat mund të kemi të bëjmë me infeksione vaginale etj)

Në rastet kur është vërtetuar që ju keni infeksione urinare të përsëritura, ju këshillohet të merrni një sërë masash, si:

  • Konsumoni më shumë ujë dhe lëngje
  • Urinoni menjëherë pas marrëdhënies seksuale : kjo është e rekomanduar nga shumë mjekë sepse urinimi largon mikrobet që mund të kenë kaluar nga uretra në fshikëzën e urinës
  • Shmangni përdorimin e spermicideve dhe diafragmave si metodë e parandalimit të shtatzënisë pasi rrisin mundësinë e infeksioneve urinare
  • Nëse jeni një grua në prag të menopauzës, atëherë duhet të pyesni mjekun tuaj në lidhje me nivelin e estrogjenit vaginal. Në varësi të atij niveli mund të përdorni një krem të rekomanduar nga vetë mjeku.
  • Mjekimi profilaktik me antimikrobial i rekomanduar nga mjeku. Profilaksia rekomandohet kur keni kaluar dy ose më shumë infeksione urinaresimptomatike brenda 6-muajsh dhe tre ose më shumë brenda një viti.

 

A është e mundur që lëngu i boronicës ose produkte të tjera të saj të parandalojnë infeksionet e traktit urinar?

Ekzistojnë studime të ndryshmë mbi këtë temë, disa prej të cilave e mbështesin këtë ide dhe disa të tjera jo,por duke qënë se gjithsesi konsumi i tyre nuk dëmton, atëherë mund të përdoren.

 

Dr.Elvana Rista

Mjeke Nefrologe

Tel: 04 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al