Osteoporoza vjen si rezultat i dobësimit të arkitekturës së kockës, duke rritur në këtë mënyrë rrezikun për thyerje ose fraktura spontane.
Zakonisht nuk shoqërohet me simptoma të dukshme, pra pacientët e prekur nuk kanë asnjë shenjë klinike deri në momentin që ndodh fraktura. Frakturat më të shpeshta ndodhin në kyçin e dorës, në artikulacionin koksofemoral dhe në vertebrat e shtyllës kurrizore(shoqëruar edhe me reduktim të gjatësisë trupore).
Kjo është edhe arsyeja pse nuk duhet neglizhuar kjo sëmundje, nisur nga shkalla e lartë e invaliditetit që shkakton fraktura si dhe kostoja e lartë që ka për individin dhe familjen. Prandaj, është i rëndësishme kontrolli (DEXA) si mënyra më e mirë e parandalimit.
Cila është kategoria më e rrezikuar për t’u prekur nga osteoporoza?
Faktorë e rrezikut që ndikojnë në shfaqjen e osteoporozës janë:
• Gjinia; femrat, sidomos pas një menopauze të hershme (para moshës 45 vjeç)
• Mosha (rreziku rritet pas moshës 50 vjeç)
• Insufiçienca hormonale (kryesisht të estrogjenit) nga heqja e ovareve apo mitrës te femrat
• Histori familjare me osteoporozë
• Fiziku i imët
• Dietë e varfër ushqimore me kalçium apo vitamin D
• Jeta sedentare apo qëndrim i gjatë shtrirë
• Përdorimi i tepërt i duhanit, mishit, alkoolit dhe kafesë
• Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve të tilla si kortizoni (më shumë se 3 muaj)
Si diagnostikohet osteoporoza?
Diagnostikimi i osteoporozës kryhet shumë thjesht me metodën e matjes së densitetit kockor (DEXA), një metodë kjo e cila, për matjen e masës kockore të trupit, përdor një tip special të rrezeve X.
Doza e rrezeve që merr pacienti/ja është shumë e vogël duke u krahasuar me më pak se 1/10 e dozës që merr një person gjatë një radiografie toraksi dhe është më e vogël se doza ditore e rrezatimit që merr gjithsecili nga ambienti rrethues.
Cilët janë ata/ato që nuk duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit (DEXA)
Nuk rekomandohet t’i nënshtrohen ekzaminimit të matjes së densitetit kockor, DEXA, kategoritë e mëposhtme të personave:
- Gratë shtatzëna
- Pacientët të cilët u janë nënshtruar së fundmi ekzaminimeve të tjera diagnostike ku është përdorur lëndë kontrasti, si p.sh barium apo gastrografi
- Pacientët të cilët kanë kryer më parë, në të njëjtën ditë, shintigrafi kockore
Trajtimi i osteoporozës është kompleks dhe i vështirë:
Në momentin e diagnostikimit të osteoporozës, pas vlerësimit të gjendjes së pacientit të bërë nga mjeku reumatolog, pacientit i mund t’i rekomandohet terapi me tableta nga goja ose injeksione.
Çdo pacient është i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar, por kjo kërkon që të studiohen mirë nga ana e mjekut specialist karakteristikat e pacientit, shkaku i osteoporozës, rezultati i trajtimit.
Tek personat e prekur nga osteoporoza rekomandohet të ndërpritet duhani, konsumimi i alkoolit me tepri si dhe rekomandohet gjithashtu edhe kryerja e aktivitetit fizik si psh. ecja apo vrapi i lehtë.
Departamenti i Reumatologjisë
Spitali Hygeia Tiranë
Tel: + 355 4 23 90 000