Artikuj mjekësor

Shintigrafia e Tiroides

Shintigrafia e tiroides është ekzaminim i mjekësisë bërthamore, i thjeshtë dhe i padhimbshëm, që lejon të studiohen forma, dimensioni dhe funksioni i tiroides.

Informacioni  që jep shintigrafia e tiroides mbi funksionalitetin dhe strukturën e tiroides, ndihmon në marrjen e një diagnoze të shpejtë, hallkë mjaft e rëndësishme për të vijuar më tej me proçedura të mëtejshme diagnostike dhe trajtimin e duhur të pacientit.

Proçedura:

Proçedura zgjat rreth 30 minuta dhe siç theksuam edhe më lart nuk është e dhimbshme.

Fillimisht injektohet një substancë e veçantë e quajtur “radiomedikament” (apo gjurmues radioaktiv) në mënyrë që të përthithët nga gjendra tiroide e cila çliron “rrezatimin”. Aparatura e përdorur për proçedurën quhet “gamma camera”dhe shërben për transformimin në imazh të rrezatimeve të çliruara nga gjendra tiroide.

 

Imazhi shintigrafik i tiroides normale riprodhon ekzatësisht aspektin anatomik të saj, duke evidentuar të dy lobet, nga të cilët lobi i djathtë është zakonisht në dimensione pak më të mëdha se i majti dhe zona e istmusit, e vendosur përpara trakesë e cila shfaqet në formën e një zone me pak radioaktivitet.

 

  Gjurmuesi universal i përdorur për shintigrafinë e tiroides është 99mTcO4- dhe merret  në rrugë intrevenoze në sasi 1 - 2 mCi (35 – 70Mbq).

Në rastet e ektopisë së indit të tiroides(pozicionimi i gjendrës së tiroides pas dërrasës së kraharorit pra, pozicionim jo normal) dhe në rastet e prezencës së metastazave të dyshimta funksionante të kancerit të tiroides, rekomandohet si gjurmues jodi (131J) i cili çliron energji relativisht të lartë të rrezatimit, e për pasojë siguron kushte të besueshme të zbulimit nga jashtë.

 

Në cilat raste rekomandohet të kryhet Shintigrafia e Tiroides?

Shintigrafia e tiroides rekomandohet në këto raste klinike për:

1- Përcaktimin e vendodhjes (tiroide linguale që konsiderohet si variant fiziologjik, ektopitë e tiroides - mediastinale) si dhe formës (hipoplazi – tiroide e vogël, hemigenezi – mungesa e një lobi)

2- Studimin funksional të nodujve(gjendrave) të tiroides që mund të shfaqen në formën e:

  • Nodujve “të nxehtë“(zona hiperaktive) kur janë të përbërë nga inde me shkallë të lartë aktiviteti.
  • Nodujve “të ngrohtë“ që paraqesin aktivitet lehtësisht më të shtuar se ai i parenkimës përreth.
  • Nodujve “të ftohtë“(zona hipoaktive) të formuar nga inde me aktivitet të ulët deri dhe mungesë të aktivitetit të tiroides.

 

Të dhënat që merren nga ekzaminimi shintigrafik i tiroides kanë shumë rëndësi në vendosjen e  diagnozës dhe ndjekjen e mëtejshme të pacientit.

 

3- Evidentimin e Tiroiditis - inflamacionit të tiroides

 

4- Zbulimin e indit residual pas heqjes radikale të tiroides

 

Efektet anësore të shintigrafisë:

Shintigrafia e tiroides nuk duhet të kryhet te gratë shtatzëna.

Ndërkohë, mund të themi që shintigrafia si ekzaminim nuk paraqet efekte anësore të pa dëshiruara pasi sasia e rrezatimit të përdorur është mjaft e ulët e për pasojë nuk sjell komplikacione mjekësore për shëndetin e pacientit.

Në përfundim të ekzaminimit pacienti mund t’i rikthehet aktivitetit të tij/saj ditor normal.

Pas përfundimit të ekzaminimit rekomandohet të konsumohet sa më shumë ujë, kjo për të eleminuar gjurmuesin e pranishëm në organizëm.

Gjatë 24 orëve në vijim, pas kryerjes së ekzaminimit duhet të qëndroni në një distancë të paktën 1(një) metër larg nga fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna.

 

Dr.Vladimir Titka

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: +355 4 23 90 000

 

 

 

 

 

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al