Artikuj mjekësor

Kur rekomandohet proçedura e Gastroskopisë

Ҫfarë është Gastroskopia?

Gastroskopia është proçedurë diagnostike endoskopike gjatë së cilës një tub i hollë dhe fleksibël i quajtur endoskop përdoret për të ekzaminuar brendësinë e ezofagut, stomakut dhe pjesës së sipërme të zorrës së hollë (duodenit) nëpërmjet një kamere të lokalizuar në pjesën fundore të endoskopit.

Gastroskopia rekomandohet për të:

  • Ekzaminuar probleme të tilla si:
    • vështirësi në gëlltitje(disfagia)
    • dhimbja të vazhdueshme abdominale
  • Diagnostikuar patologji të tilla si:
    • ulçera e stomakut
    • sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (GERD)
  • Trajtuar patologji të tilla si:
    • ulçera me hemoragji,
    • bllokime në ezofag (nga trupa të huaj)
    • polipe (rritjet jo kanceroze) apo,
    • tumore të vogla kanceroze

Gastroskopia e përdorur për të ekzaminuar apo për të konfirmuar diagnozën njihet si gastroskopia diagnostike ndërsa gastroskopia e përdorur për të trajtuar patologjitë njihet si gastroskopi terapeutike (trajtuese).

 

Në cilat raste rekomandohet Gastroskopia?

Rekomandohet të drejtoheni te mjeku gastroenterolog në rast se keni simptoma të tilla si:

  • Dhimbje abdominale (barku)
  • Urth ose dispepsi (mostretje)
  • Vështirësi në gëlltitje ose dhimbje gjatë gëlltitjes
  • Prezencë anemie e cila mund të shkaktohet nga hemorragji e brendshme
  • Hemorragji e rëndë , e cila mund të shkaktojë dhimbje të papritura dhe të forta abdominale, të vjella të shoqëruara me prezencë gjaku si dhe jashtëqitje me ngjyrë të errët(e zezë).

 

Diagnostikimi i simptomave

Gastroskopia si ekzaminim shërben për të konfirmuar apo përjashtuar diagnozën që sugjeron praninë e patologjive si:

  • Ulçera peptike – plagë të hapura që zhvillohen në stomak dhe duoden.
  • Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (GERD) – refluksi ndodh kur përmbajtjet e stomakut kthehen mbrapsht në ezofag gjatë ose pas ushqyerjes
  • Sëmundja e celiakisë – patologji e cila prek zorrën e hollë dhe shkakton intolerancë ndaj proteinës "gluten" e cila gjendet te produktet e grurit, thekrës dhe elbit.
  • Ezofagu Barret – patologji në të cilën ezofagu(tubi muskulor i cili kalon ushqimin dhe pështymën nga goja në stomak) zëvendëson qelizat normale të tij me qeliza të ngjashme me ato të intestinit (zorrës).
  • Hipertensioni portal – Ciroza e mëlçisë shkaktuar qoftë nga përdorimi i alkolit e qoftë nga hepatitet, shkakton hipertensionin portal i cili çon në krijimin e venave varikoze në ezofag.
  • Kanceri i ezofagut & stomakut - Përveç ekzaminimit të ezofagut, stomakut dhe duodenit, nëpërmjet endoskopisë mund të kryhet edhe proçedura e biopsisë për të hequr mostrat e vogla të indeve për testim.

 

Trajtimi i Patologjive

Në rastet kur kemi diagnozën e saktë dhe konfirmuar llojin patologjisë në ezofag, stomak dhe duoden, me anë të gastroskopit realizohet trajtimi i problemeve të tilla si:

  • Hemoragjisë në brendësi të stomakut ose esofagut, siç p.sh. hemoragjia e shkaktuar nga ulçera e stomakut apo zgjerimi i venave
  • Ezofagu i ngushtuar i cili për pasojë shkakton dhimbje ose vështirësi në gëlltitje. Ngushtimi i ezofagut mund të shkaktohet nga GERD (refluks gastroezofageal), radioterapia apo kanceri i ezofagut
  • Paaftësia për t’u ushqyer – Në rastet kur një person nuk është në gjendje të ushqehet në mënyrë normale, mundësohet kalimi i ushqimit në stomak nëpërmjet një tubi që inserohet me ndihmën e gastroskopit

Gastroskopi shërben edhe për të hequr nga ezofagu, stomaku & duodeni:

  • Masa kanceroze
  • Zgjatime jo kanceroze (polipet)
  • Trupa të huaj

 

Në Departamentin e gastroenterologjisë Hygeia, ekipi i mjekëve profesionistë janë  të specializuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të traktit(aparatit) tretës. Sajë profesionizmit dhe aparaturave bashkëkohore që ky Departament disponon arrijnë të realizohen me shumë sukses të gjitha procedurat endoskopike të cilat realizohen duke aplikuar një anestezi të lehtë pacientit duke garantuar atij/asaj një proçedurë komode, të sigurt dhe njëkohësisht të saktë. 

 

Departamenti i Gastroenterologjisë

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: +355 4 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al