Artikuj mjekësor

Çfarë është Koliti Ulçerativ, shkaktarët, faktorët e rrezikut dhe rëndësia e trajtimit në kohë

Koliti ulçerativ është sëmundje e cila shkakton inflamacion të zgjatur dhe ulçer në traktin tretës. Koliti ulçerativ prek pjesën e brendshme të zorrës së trashë (kolonit) dhe rektumit dhe simptomat zakonisht nuk shfaqen menjëherë, pra duan pak kohë që të shfaqen. 

Koliti ulçerativ në rast mostrajtimi në kohë, mund të ndodhë (kjo në raste të rralla) që të japë komplikacione vdekjeprurëse. Por, ndërkohë që nuk ekziston një kurë shërimi e mirëfilltë, trajtimi i tij mund të reduktojë ndjeshëm simptomat dhe shenjat e sëmundjes.

Simptomat

Simptomat e Kolitit ulçerativ mund të variojnë bazuar në shkallën e inflamacionit dhe në rastet kur shfaqet, shenjat dhe simptomat shoqëruese përfshijnë:

  • Diarre shoqëruar me gjak ose mukus
  • Dhimbje ose krampe abdominale (barku)
  • Dhimbje rektale
  • Gjakrrjedhje rektale – sasi e vogël gjaku në jashtëqitje
  • Kapsllëk
  • Rënie nga pesha
  • Lodhje e vazhdueshme
  • Temperaturë

Shumica e personave që vuajnë nga koliti ulçerativ kanë simptoma që variojnë nga të lehta deri në të moderuara, por perkursi i sëmundjes varion.

Kur duhet të drejtohemi te mjeku specialist

Duhet të konsultoheni me mjekun specialist gastroenterolog në rast se do keni simptoma të tipit:

  • Dhimbje abdominale (barku)
  • Prezencë gjaku në jashtëqitje
  • Diarre e vazhdueshme që nuk ndërpritet edhe nga mjekimet e marra
  • Diarre që ju zgjon nga gjumi
  • Temperaturë e pashpjegueshme që zgjat më shumë se 1 apo dy ditë

Pavarësisht faktit që koliti ulçerativ nuk është me pasoja fatale për jetën, mbetet një sëmundje serioze që siç e theksuam edhe më lart mund të çojë në komplikacione me rrezik për jetën.

Shkaktarët

Shkaktari kryesor që çon në shfaqjen e kolitit ulçerativ vazhdon të mbetet i panjohur. Stresi dhe dieta ushqimore janë konsideruar gjithmonë si ndër shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundje, por në ditët e sotme mjekët mendojnë se këta dy faktorë mund të çojnë në agravim por nuk janë shkaktarët e drejtpërdrejtë të kësaj sëmundje. 

Një shkaktar i mundshëm i Kolitit Ulçerativ është mosfunksionimi në mënyrën e duhur tw sistemit imunitar të organizmit.

Trashëgimia po ashtu është një tjetër shkaktar, kjo për faktin që është vënë re që koliti ulçerativ është më i shpeshtë në personat që kanë histori familjare me këtë sëmundje. Gjithsesi shumë persona të prekur nga Koliti ulçerativ nuk kanë histori familjare prandaj dhe duhet të jenë të kujdesshëm ndaj simptomave.

Faktorë rreziku

Koliti Ulçerativ prek në mënyrë të barabartë si gratë ashtu edhe burrat. Faktorë rreziku konsiderohen:

  • Koliti Ulçerativ zakonisht shfaqet përpara moshës 30 vjeç, por kjo nuk përjashton faktin që mund të shfaqet në çdo moshë dhe në disa persona ndodh që sëmundja të zhvillohet deri pas moshës 60 vjeç.
  • Raca ose përkatësia etnike.Megjithëse personat që i përkasin e racës së bardhë janë më të rrezikuar për t’u prekur, kjo sëmundje mund të prekë këdo.  
  • Histori familjare. Nëse një familjar i afërt juaji, prind ose vëlla/motër ka vuajtur ose vuan nga kjo sëmundje atëherë edhe rreziku që ju të prekeni nga kjo sëmundje është më i lartë.  

 

Komplikacione

Komplikacione të mundshme të Kolitit ulçerativ përfshijnë:

  • Gjakrrjedhje e shumtë
  • Kolonë e perforuar (e çarë)
  • Dehidrim në shkallë të lartë
  • Osteoporozë
  • Inflamacion i lëkurës, kyçeve dhe syve
  • Rrezik i shtuar për kancer koloni
  • Rrezik i shtuar për mpiksje të gjakut në vena dhe arterie

Trajtimi

Trajtimi i Kolitit Ulçerativ zakonisht përfshin trajtimin medikamentoz ose atë me kirurgji.

Ekzistojnë një kategori medikamentesh të cilat mund të jenë efektive në trajtimin e kolitit ulçerativ të tilla si  lloji i medikamentit i cili për çdo rast do të varet nga graviteti dhe shkalla e sëmundjes. Mjekimi që funksionin për një person nuk është e thënë që të jetë i duhuri edhe për ju prandaj duhet të konsultoheni gjithmonë me mjekët specialistë dhe të merrni vetëm mjekime të rekomanduara prej tyre, kjo sidomos nëse kemi parasysh që medikamente të caktuara kanë edhe efekte anësore serioze për organizmin.

Stili i jetesës si masë parandaluese

Ndodh që mund të ndiheni i/e pashpresë kur përballeni me Kolitin por modifikimi që mund të bëni në dietën tuaj ushqimore dhe stilin e jetesës mund t’ju ndihmojë të mbani nën kontroll simptomat.

Pavarësisht se nuk ka statistika që të mbështesin faktin që ajo çfarë hamë çon në sëmundjen inflamatore të zorrëve, ekzistojnë ushqime dhe pije të caktuara që mund të agravojnë shenjat dhe simptomat e kësaj sëmundje, sidomos në periudhën e shpërthimit të saj.  

Ushqime që duhen kufizuar ose evituar

  • Kufizoni produktet e qumështit.Shumë persona që vuajnë nga Koliti vënë re se probleme të tilla si diarreja, dhimbje abdominale ose gazra përmirësohen në momentin që kufizojnë ose limitojnë konsumin e produkteve të qumështit. Ju mund të jeni intolerant nga laktoza – që do të thotë që trupi juaj nuk mund të tresë sheqerin (laktozën) në produktet e qumështit.
  • Limitoni ushqimet me bazë fibrat. Nëse vuani nga sëmundje të zorrës së inflamuar, ushqimet me përmbajtje të lartë në fibra të tilla si frutat e freskëta, perimet dhe drithërat, mund të ndikojnë në përkeqësimin e simptomave të sëmundjes. Pra në rast se frutat dhe perimet e papërpunuara ju shqetësojnë, konsumojini ato në avull, të zjera apo të pjekura.
  • Evitoni ushqime të tjera problematike: Ushqimet picante, alkoolin dhe kafeinën të cilat ndikojnë në përkeqësimin e shenjave dhe simptomave.

Masa mbi dietën ushqimore që duhet të ndiqni

  • Konsumoni racione të vogla disa herë në ditë. Ju mund të ndiheni më mirë nëse konsumoni 5 (pesë) ose 6 (gjashtë) racione të vogla në ditë në vend të dy ose tre vakteve të mëdha.
  • Konsumoni sa më shumë lëngje.Provoni të konsumoni sa më shumë lëngje gjatë ditës, akoma më mirë nëse është ujë. Evitoni konsumin e alkolit dhe pijeve që përmbajnë kafeinë sepse stimulojnë intestinin tuaj dhe përkeqësojnë diarrenë.
  • Konsultohu me një dietolog.Nëse keni filluar të bini nga pesha dhe dieta ushqimore që konsumoni është shumë e limituar është mirë që të konsultoheni me një dietolog/s.

Stresi

Megjithëse stresi në vetvete nuk shkakton sëmundjen inflamatore të zorrëve, mund të ndikojë në përkeqësimin e shenjave dhe simptomave dhe mund të përshpejtojë shpërthimin e sëmundjes.

Prandaj është e rëndësishme të mbani nën kotroll stresin:

  • Edhe ushtrimet më të thjeshta ndihmojnë në reduktimin e stresit, lehtësimin e depresionit dhe normalizimin e funksionit të zorrës. Konsultohuni me mjekun specialist në lidhje me planin ushtrimor që duhet të ndiqni dhe që është i përshtatshëm për ju.
  • Bëni ushtrime të rregullta për relaksim dhe frymëmarrje. Një mënyrë efektive për të minimizuar stresin janë ushtrimet për relaksim dhe frymëmarje dhe për këtë ju ndihmojnë kurset e Yogës.

 

Departamenti Gastroenterologjisë

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: +355 4 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al