Artikuj mjekësor

Sindroma e Vezores Polikistike

Sindroma e vezoreve polikistike (PCO-S) është një çrregullim hormonal i shpeshtë tek femrat në moshën riprodhuese. Karakterizohet nga cikle menstruale të crregullta, te rralla apo edhe me nivele të larta të hormoneve mashkullore (androgjeneve).

PCO kemi në rastet kur në vezore krijohen qeska të vogla të shumta, të mbushura me likid dhe të vendosura kryesisht në shtresën periferike të saj (ndryshe të quajtura mikrokiste). Prezenca e tyre shkakton çrregullime të ciklit menstrual dhe në disa raste edhe mungesë të ovulacionit.

Shkaktarët që çojnë në shfaqjen  PCO-së mbeten ende të panjohur. Diagnoza e hershme dhe trajtimi në kohë, shoqëruar me nje dietë të shëndetshme që ndihmon për rënien nga pesha (te pacientet obeze) mund të ulin ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve afatgjata, si diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.

 

Simptomat

Në shumicën e rasteve shenjat (simptomat) e para të PCO-S shfaqen në periudhën e ardhjes për herë të parë të ciklit menstrual, pra gjatë pubertetit, por ka edhe raste që mund të shfaqet edhe në një peridhë të vonë, kjo si rezultat i shtimit të tepërt në peshë.

Simptomat ndryshojnë nga një paciente te tjetra dhe diagnostikimi i kësaj sëmundje realizohet në rastet kur shfaqen të paktën dy prej simptomave të mëposhtme:

  • Ҫrregullime të ciklit menstrual – Cikli menstrual i rrallë, i çrregullt apo i zgjatur në kohë (jo çdo muaj), është një nga treguesit kryesore të prezencës së një PCO-S të mundshme
  • Nivele të larta të Androgjeneve – Nivelet e larta të hormoneve mashkullore mund të shoqërohen me shtim te qimeve në fytyrë dhe në trup (hirsutizëm) dhe në disa raste që konsiderohen si forma më të rënda të sëmundjes, shoqërohet edhe me akne apo rënie të flokëve, të cilat ngjasojnë me rënien e flokëve tek meshkujt (alopeci androgjenike)
  • Vezore polikistike – Vezore me volum më të madh se norma dhe që përmbajnë shumë kiste të vegjël, kryesisht të vendosur në pjesën periferike të tyre. Për pasojë, vezoret nuk arrijnë të kryejnë funksionin e tyre normal.

 

Kur duhet të drejtoheni te mjeku specialist

Është e rëndësishme të drejtoheni te mjeku specialist në rastet kur vëreni:

  • Shqetësime apo çrregullime të ciklit menstrual
  • Vështirësi në konceptimin e shtatzënisë
  • Keni nivele të larta të androgjenit (prezencë e formës së rëndë të akneve & qime të shtuara në pjesë të pazakonta të trupit).

 

Shkaqet

Nuk njihet akoma një shkak i saktë i PCO-S por, megjithatë, mund të përmendim disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie, si:

  • Rritja i niveleve të insulinës - Insulina është hormoni i prodhuar nga pankreasi i cili i jep mundësinë qelizave të përdorin sheqerin, furnizimin primar të energjisë së organizmit tonë. Nëse qelizat bëhen rezistente ndaj veprimit të insulinës, atëherë nivelet e sheqerit në gjak rriten dhe pankreasi prodhon më shumë insulin më qëllim normalizimin e niveleve të sheqerit. Nga ana tjetër, insulina e tepërt në organizëm mund të rrisë prodhimin e androgjeneve, duke çuar kështu edhe në vështirësi me ovulacionin.
  • Inflamacion i shkallës së ulët – Prezenca e inflamacionit në organizëm nxit rruazat e bardha të gjakut të prodhojnë substanca të cilat luftojnë infeksionin. Hulumtimet kanë treguar se femrat me PCO-S kanë një lloj inflamacioni të lehtë që stimulon vezoret policistike të prodhojnë androgjene, të cilët mund të shkaktojnë edhe probleme kardiovaskulare.
  • Trashëgimia – Mendohet se ka disa gjene që lidhen me shfaqjen e PCO-S, e për pasojë vajzat tek të cilat edhe nëna e tyre ka patur PCO-S, kanë më shumë gjasa të shfaqin të njëjtin problem.
  • Nivelet e shtuara të androgjeneve – Vezoret prodhojnë nivele të larta (jo normale) të androgjeneve, duke shkaktuar një gjendje të rënduar të akneve dhe hirsutizëm.

 

Komplikacionet / Pasojat

Te pacientët e prekur nga PCO-S (sindromi i ovarit polikistik), sidomos në ato raste kur kjo patologji shoqërohet edhe me obezitet, rreziku i shfaqjes së sëmundjeve të tjera është edhe më i lartë, si:

  • Infertiliteti (pamundesia për të arritur një shtatzëni)
  • Diabeti gestacional (diabeti i shtatzënisë)
  • Abort ose lindje e parakohshme
  • Steatoza hepatike joalkoolike – dhjamosje e thjeshtë e mëlçisë (jo për shkak të alkolit)
  • Sindroma metabolike – një spektër i gjerë çrregullimesh metabolike që përfshijnë; nivele të larta të presionit arterial, të glukozës/sheqerit në gjak dhe të kolesterolit/triglicerideve dhe që për pasojë rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
  • Diabet i tipit 2
  • Apnea e gjumit
  • Depresion, ankth dhe çrregullime të të ngrënit
  • Gjakderdhje jo normale nga mitra
  • Kancer endometrial

 

Trajtimi

Trajtimi i PCO-S varet nga qëllimi që ka pacienti ndaj efekteve të kësaj sëmundje, pra kemi paciente të cilat synojnë të trajtojnë problemet e shkaktuara nga kjo patologji dhe që kanë lidhje me infertilitetin, të tjera me hirsutizmin, aknet apo obezitetin.

Trajtimi specifik konsiston në trajtimin me medikamente por edhe nëpërmjet ndryshimeve të stilit të  jetesës së pacienteve.

 

Ndryshimet e stilit të jetesës:

Duke qenë se në shumicën e rasteve pacientet që preken nga PCO-S janë në mbipeshë, kjo si rezultat i çrregullimeve metabolike, rekomandohet te ndjekin një diete me sa më pak kalori kombinuar me aktivitete të ndryshme fizike, me synim rënien në peshë. Edhe një rënie në peshë modeste mund të përmirësojë gjendjen e pacientes, duke ndihmuar në vijim edhe me problemet që pacientja ka me infertilitetin.

 

Trajtimi medikamentoz:

Ky lloj trajtimi rekomandohet nga mjekët specialistë dhe varion në varësi të qëllimit të pacientes dhe stadit (avancimit) të patologjisë.

Ky trajtim synon në:

  • Stabilizimin e ciklit menstrual (duke zëvëndësuar hormonet që mungojnë në kohën e duhur të ciklit menstrual)
  • Konceptimin e një shtatzënie (duke stimuluar proçesin e ovulimit)
  • Minimizimin e efekteve të hirsutizmit, akneve, etj

 

Për ato paciente, të prekura nga PCO dhe që duhet të mbajnë një ciklël menstrual të rregullt (proçes mjaft i rëndesishëm për fertilitetin e tyre në të ardhmen) apo të minimizojnë efektet estetike që vijnë si pasojë e kësaj patologjie (hirsutizmi, aknet), trajtimi hormonal është një nga terapitë medikamentoze më të shpeshta që mjekët specialistë rekomandojnë. Marrja e Progesteronit në ditë të caktuara të ciklit menstrual apo përdorimi i pilulave kontraceptive (pilulat për mos të mbetur shtatzënë) që përmbajnë estrogjen dhe progesterone, mund të rikthejnë ciklin menstrual në normalitet, duke ulur prodhimin e androgjeneve dhe stabilizuar nivelet e estrogjenit. Balancimi i hormoneve ul rrezikun e kancerit të endometrit, stabilizon ciklin menstrual dhe minimizon efektet estetike të patologjisë (hirsutizmi dhe aknet).

Për ato paciente, të prekura nga PCO dhe që vuajnë nga infertiliteti (pamundësi në konceptim shtatzënie), trajtimi hormonal konsiston në marrjen e medikamenteve të cilat do të stimulojnë ovulacionin dhe njëkohësisht do të normalizojnë ciklin menstrual.

Mënyrat e trajtimit të kësaj patologjie janë të shumëllojshme. Trajtimi medikamentoz hormonal shpesh herë do të duhet të shoqërohet edhe me mjekime të tjera atëherë kur vlerësohet si e nevojshme nga mjeku specialist, në varësi të specifikave dhe të synimit që kërkohet të arrihet.

Mjeku specialist gjinekolog është mjeku me të cilin duhet të konsultoheni për të përcaktuar trajtimin adekuat për secilin nga rastet e përmendur më lart.

 

Departamenti Obstetri-Gjinekologjisë

Spitali Hygeia Tiranë

Tel: +355 4 23 90 000

 

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al