Artikuj mjekësor

Hipertensioni, shkaqet, diagnostikimi dhe trajtimi i tij

Ҫfarë është hipertensioni arterial dhe si e diagnostikojmë atë

Hipertensioni nënkupton presion të lartë të gjakut dhe është një sëmundje shumë e përhapur në popullatën e rritur. Në një pjesë të rëndësishme të pacientëve me këtë sëmundje, mungojnë ankesat tipike, të cilat do t’i përshkruajmë më poshtë.

Shpesh hipertensioni është quajtur “ sëmundje e fshehtë” për faktin se sëmundja është e pranishme, por pacienti nuk është në dijeni të pranisë së saj. E rëndësishme është të theksohet fakti se me ose pa shenja klinike tensioni e dëmton njësoj trupin e njeriut dhe prania e tij është një shkak i pavarur për sëmundje të zemrës, enëve të gjakut, veshkave, syve, trurit si dhe rrit vdekshmërinë, prandaj kjo sëmundje duhet vlerësuar dhe trajtuar me seriozitet.
Për këtë arsye është e rëndësishme matja e rregullt e presionit arterial sidomos nëse janë pikasur qoftë edhe një herë vlera të larta të presionit apo nëse keni histori familjare për hipertension.

Pse është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun kardiolog?
Përvec matjes së thjeshtë të tensionit, mjeku gjatë konsultës mjekësore do t’ju pyesë edhe për historinë mjekësore personale dhe familjare ( trashëgiminë) p.sh nëse keni patur ndonjë problem të mëparshëm nga zemra apo nëse ndonjë nga pjestarët e familjes ka patur ose ka histori me hipertension apo me sëmundje zemre. Gjithashtu, mjeku specialist kardiolog do të vlerësojë praninë e të ashtuquajturve faktorë të rrezikut si duhanpirja, kolesteroli i lartë, diabeti etj, të cilët në bashkëveprim me tensionin e lartë rrisin shumë rrezikun për t'u prekur nga kjo sëmundje apo edhe rrezikun e vdekshmërisë.

Mjeku pasi kryen një ekzaminim të plotë fizik, mund të rekomandojë ekzaminime të tjera shumë të vlefshme në vlerësimin e sëmundjes dhe të pasojave të saj si:

- Elektrokardiograma e cila shërben për të vlerësur aktivitetin elektrik të zemrës dhe për të vlerësuar trashjen mbi normën të mureve të zemrës apo mbingarkesës të saj

- Ekokardiograma e cila është një ekzaminim i rëndësishëm që na jep informacion të detajuar mbi strukturën e zemrës dhe funksionin “ pompë” të saj.

- Holter presioni që monitoron me matje të herëpashershme, të programuara, vlerat e tensioni. Ky ekzaminim shërben si për të verifikuar më tej praninë e hipertesionit ashtu

  dhe për të vlerësuar përgjigjen ndaj terapisë.

- Analiza të gjakut për vlerësimin e yndyrës në gjak, diabetit, funksionit të veshkës, të mëlçisë etj

Cilët janë shkaktarët e Hipertensionit?!

Mendohet se në pjesën më të madhe të rasteve shkak i hipertensionit është një çrregullim në nivel qelizor që shfaqet me kalimin e moshës. Kjo e bën hipertensionin, sidomos në stade të avancuara, një sëmundje të trajtueshme që shpesh kërkon mjekim të vazhdueshëm, pra duhet të jesh në ndjekje të vazhdueshme, pra nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të shërueshme si psh një infeksion i cili shërohet duke u trajtuar përkohësisht me antibiotik. Megjithatë ekzistojnë edhe faktorë apo gjendje të ndryshme që rrisin mundësinë e shfaqjes së hipertensionit dhe vështirësojnë trajtimin e tij, të tillë si:

  • Duhanpirja
  • Mbipesha apo obeziteti
  • Jeta sedentare
  • Kripa me tepri në ushqim
  • Konsumi i tepruar i alkolit
  • Stresi
  • Mosha
  • Trashëgimia
  • Dieta e varfër ushqimore me magnez, potasium, kalçium
  • Sëmunjdet kronike të veshkave
  • Ҫrregullimet e funksionit të tiroides dhe gjendrës mbiveshkore
  • Apnea e gjumit

Ёshtë e rëndësishme të theksohet se hipertensioni influencohet shumë nga stili i jetesës. Kripa me tepri në ushqime, dieta në përgjithësi, jeta sendentare, mbipesha, janë faktorë plotësisht të modifikueshëm që mund të ndikojnë për mirë ose për keq në shfaqjen dhe ecurinë e sëmundjes.

Cila është kategoria e personave e riskuar për t'u prekur nga hipertensioni?

  • Individët që kanë trashëgimi për HTA
  • Duhanpiresit
  • Gratë shtatzëna
  • Gratë që marrin kontraceptivë oral
  • Individët mbi 35 vjec
  • Individët obezë apo mbipeshë
  • Individët që bëjnë jetë sedentare
  • Individët që konsumojnë alkol me tepri
  • Individët që konsumojnë ushqime që kanë kripë dhe yndyrë me tepri
  • Individët që vuajnë nga apnea e gjumit

Cilat janë shenjat klinike të hipertensionit?

Siç e përmendëm edhe më lart, hipertensioni mund të jetë i pranishëm pa e kutuar praninë e tij dhe kjo është një nga karakteristikat më të rrezikshme të tij pasi mund të neglizhohet. Ёshtë fakt që 1/3 e pacientëve me hipertension arterial të konfirmuar nuk e dinin paraprakisht se vuanin nga kjo sëmundje. Mënyra e vetme për të pikasur nëse kemi hipertension është nëpërmjet kontrolleve mjekësore të rregullta rutinë. Kjo vlen veçanërisht nëse keni ekzistencën e ndonjë prej faktorët e rrezikut të sipërpërmendur.

Ndërkohe disa individë përjetojnë simptoma të tipit, dhimbje koke, veçanërisht në pjesën e pasme të kokës, marramendje , zhurmë në vesh.

Në rastet kur tensioni është shumë i lartë, gjë që nënkupton kërcënim për jetën, pacienti ankon shqetësimet e mëposhtme :

- Dhimje të fortë koke
- Lodhje dhe konfuzion
- Probleme me shikimin
- Dhimbje gjoksi
- Vështirësi në frymëmarrje
- Rrahje zemre të ç’rregullta.
- Gjak në urinë
- “ Goditje” në kraharor, qafë apo vesh

Nëse përjetohen këto shqetësime, ka shumë të ngjarë të jemi para një krize hipertensive me pasojë goditje në zemër ose tru, ndaj është e domodoshme të kontaktohet mjeku urgjentisht!

Departamenti i Kardiologjisë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ

TEL: + 355 4 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al