Artikuj mjekësor

Si të mbrohemi nga alergjitë e vjeshtës

Dr. Maria Zoto, mjeke alergologe në Spitalin Hygeia Tiranë jep këshilla dhe informon mbi alergjitë e lidhura me sezonin e vjeshtës, shkaqet, masat që duhet të marrim dhe çfarë duhet të kemi parasysh për çdo rast. 

Vjeshta sapo ka nisur dhe së bashku me motin e freskët dhe reshjet e shiut kanë filluar edhe simptomat e alergjisë. Kjo sepse jemi në sezonin e vjeshtës që konsiderohet sezon i zakonshëm për alergjinë. Simptoma të tilla si:  kruarja e fytit dhe e hundëve, sytë që lotojnë dhe skuqen, teshtimat, nuk lidhen vetëm me polenet që qarkullojnë në pranverë.

Tani që gjethet fillojnë të bien dhe ajri ftohet, përgjegjës për këto simptoma janë edhe alergenë të tjerë, të tillë si:

Myku

Myku rritet si në ambiente të mbyllura ashtu edhe në natyrë. Ai përbëhet nga spore të cilat, ashtu si polenet, përhapen në ajër. Myku zhvillohet gjatë gjithë vitit, por në vjeshtë e favorizon së tepërmi gjethet e rëna si dhe ambientet e brendshme me lagështirë.

Si të shmangim mykun?

Sa herë që ju duhet të pastroni kopshtin nga gjethet e rëna është shumë e rëndësishme që gjithmonë të pajiseni me maskë për fytyrën, pra të mbuloni gojën dhe hundën.

Përpiquni të pastroni mykun në kuzhinë dhe në tualet, përdorni solucione të cilat bllokojnë, pra që nuk lejojnë rritjen e mykut.

Kur gatuani mbani gjithmonë aspiratorin hapur.

Merrni masa që në shtëpi, lagështira në ajër të mos jetë më shumë se 35-50 përqind.

 

Mikroorganizmat e pluhurit

Mikroorganizmat e pluhurit janë parazitë që gjenden kudo në ambiente të shtëpive apo zyra. Në ambientet e mbyllura ato janë prezente vazhdimisht, gjatë gjithë vitit, por zhvillohen më shumë në ambientet me lagështirë dhe në temperaraturat 20-250C. Për këtë arsye, personat alergjikë nga këto mikroorganizma kanë simptoma më të shprehura në pranverë dhe në vjeshtë. Pavarësisht se është pothuajse e pamundur t’i zhdukësh totalisht këto mikroorganizma, ajo që mund të bëni është të përpiqeni të ulni nivelin e tyre në ambientet ku jetojmë.

Ҫfarë duhet të bëni?

  • Përdorni këllëf anti alergjik për dyshekët dhe jastëkët
  • Lani rregullisht çarçafët me ujë të nxehtë (600C)
  • Përdorni pajisje anti lagështi për të mbajtur nivelin e lagështisë nën 50%
  • Pastroni me fshesë me korent (me vakum) rregullisht dhe mbani një maskë për fytyrën gjatë pastrimit
  • Do të ishte e këshillueshme të shmangen tapetet dhe në vend të tyre të zgjidhet parketi

Kafshët shtëpiake

Kafshët shtëpiake janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të sëmundjeve alergjike. Mendohet se 10-15% e popullatës në vendet e zhvilluara kanë alergji nga kafshët, si qeni apo macja. Simptomat e alergjisë vijnë nga kontakti me alergenët, që gjenden kryesisht në qimet apo lëkurën e kafshëve që mbahen dhe qarkullojnë nëpër shtëpi.

Ҫfarë duhet të bëni?

Nëse jeni alergjikë, zgjidhja më e mirë është shmangia e kontaktit me këto kafshë shtëpiake. Por, nëse jeni shumë të lidhur me to dhe nuk mund t’i largoni nga shtëpia përpiquni të merrni disa masa paraprake të paktën për të minimizuar kontaktin si psh:

  • Pastroni rregullisht kafshët tuaja dhe ambientin ku ato qëndrojnë
  • Mbajini kafshët jashtë dhomës së gjumit dhe kujdesuni për ventilimin e ajrit

Për sa më lart,  duhet të keni të qartë faktin që edhe në rastet kur merren të gjitha masat e mësipërme, është pothuajse e pamundur shmangia totale e këtyre alergenëve. Gjatë stinës së vjeshtës, të gjithë ne kalojmë një kohë më të gjatë në ambiente të mbyllura, gjë që për pasojë çon në shtimin e simptomave. 

Pacienti alergjik duhet të konsultohet me një mjek alergolog mbi masat që duhet të merren gjatë këtij sezoni. Krahas informacionit dhe marrjes së masave për tu mbrojtur nga alergenët, sigurisht që ka edhe medikamente të sigurta dhe efikase për trajtimin e simptomave alergjike, të cilat përshkruhen nga mjeku alergolog specialist.

Përveç  trajtimit me medikamente, një tjetër trajtim kryesor i sëmundjeve alergjike është edhe imunoterapia. Kjo është terapia më efektive për  zhdukjen e simptomave sepse është e vetmja terapi që ndërhyn tek shkaku që çon në alergji. Pra, fillimisht pacienti i nënshtrohet provave alergjike dhe pasi gjendet shkaku i alergjisë atëhere mjeku alergolog rekomandon kryerjen e vaksinave specifike sipas rastit që paraqitet.

Dr. Maria Zoto

Mjeke Alergologe/Spitali Hygeia Tiranë

Tel: 04 23 90 000

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: 377 49 10 2008
Email: zyrakosove@hygeia.al