Artikuj mjekësor

Mungesa (ose moszbritja) e testeve në Skrotum te djemtë ( Kriptorkizmi)

Kriptorkizmi është çrregullimi më i shpeshtë genital mashkullor që zbulohet pas lindjes. Testet fillojnë zbritjen e tyre nga barku për në skrotum rreth javës së 36 të barrës. Ky proces normalisht duhet të përfundojë në lindje. 

Zbritja e testit mund të ndalet  në çdo vend përgjatë rrugës nga abdomeni (barku) në skrotum. Testi i pazbritur mund të keqvendoset brenda në bark, në pjesën e poshtme të barkut drejt skrotumit ose dhe në zonën përreth skrotumit.

Një test i pazbritur në skrotum duhet të vlerësohet edhe për zhvillimin e tij - nëse është i pazhvilluar mirë, nëse nuk është vital apo edhe nëse mungon.

Testi i pazbritur, jo i zbritur mirë ose i vendosur diku tjetër,  por jo në skrotum, është një nga anomalitë më të shpeshta genito- urinare në të porsalindurit meshkuj. Anomalia  ndodh  rreth  30% në fëmijët djem prematurë (të lindur para kohe) dhe 1-3% tek djemtë e lindur në kohë normale. Kjo anomali, pra moszbritja e testit mund të ndodh për njërin apo edhe për të dy bashkë. Zbritja e testeve në skrotum është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për pjekurinë e plotë testikulare dhe riprodhimin në moshë madhore.

 

Komplikacionet mjekësore në rast mosdiagnostikimi në kohë

Kriptorkizmi në rast mosdiagnostikimi në kohë mund të shoqërohet me komplikacione mjekësore të tipit : malinjizimi (kancer) i testit, fertlitet ( ulja e fertilitetit (riprodhimit) në personat e prekur ), torsion (përdredhja e testit) ose hernie inguinale.

Kanceri testikular:  Rrisku i kancerit të testit është më i lartë në meshkujt e prekur me kriptorkizëm, dhe këtu përfshihen meshkujt e moshave 15-45 vjeç. Studimet shkencore kanë treguar se mundësia për kancer të testit minimizohet nëse trajtimi i kësaj anomalie, pra zbritja e testit në rrugë kirurgjikale për në skrotum, bëhet përara moshës së pubertetit.

Ulja e aftësisë së riprodhimit: Te meshkujt që kanë patur kriptorkizëm ka propabilitet më të lartë që të kenë ulje të sasisë dhe cilësisë së spermës, si dhe mundësi infertiliteti.

Torsion i testit (përdredhja):  Ky komplikacion haset 10 herë më shumë në testet që nuk kanë zbritur se sa në testet intraskrotale.

Trauma: Nëse testi lokalizohet në pjesën e poshtme të barkut ( regioni inguinal), mund të dëmtohet nga presioni ndaj kockës pubike.

Hernia inguinale: Mund të jetë bashkëshoqëruese e testit të vendosur në kanalin inguinal.

Faktori Social: Djemtë në moshe të rritur e vuajnë psikologjikisht problemin e kriptorkizmit dhe të pasojave që pasojnë !!

Faktorët e rriskut

Faktorët e rriskut që mund të rritin shanset  e kriptorkizmit në një të porsalindur janë ende të papërcaktuara mirë.  Megjithatë studimet kanë zbuluar se disa prej tyre janë:

  • Pesha e ulët në lindje
  • Lindja premature
  • Histori familjare me kriptorkizëm
  • Përdorimi i alkoolit nga nëna gjatë barrës
  • Nëna duhanpirëse ose e ekspozuar ndaj duhanpirjes
  • Nënë obeze
  • Ekspozimi i prindërve ndaj disa pesticideve

 

Egzaminimi Ekografik

Lokalizimi korrekt i testit është i mjaft rëndësishëm. Nëse vihet re mungesa e testeve, pra kur testet nuk preken në skrotum, atëherë duhet menjëherë të drejtohemi te mjeku specialist  dhe të kryhet egzaminimi për identifikimin e tyre.

Ekografia është modaliteti i parë mazherik, e cila përdoret për vlerësimin e kriptorkizmit te fëmijët. Ekografia është metodë egzaminimi pa rrezatim dhe pa asnjë efekt anësor të dëmshëm biologjik për organizmin. Ky egzaminim është  mjaft efikas në lokalizimin e testeve të lokalizuara mbi skrotum, në kanalin inguinal, ose në bark. Ekografia është metodë imazherike sensitive për testet që nuk palpohen klinikisht.

Në ekografi imazhi i testit të pazbritur është shpesh më i vogël se testi  i anës tjetër  që është normal. Lokalizimi më i preferuar në testin kriptorkidik është kanali inguinal (72%  të rasteve), i ndjekur nga ai preskrotal (20%) dhe abdominal (8%) të lokalizimeve.

Aparatura ekografike me rezolucion të lartë që disponon spitali Hygeia e bën këtë egzaminim shumë efikas për fëmijët e të gjitha moshave, duke filluar nga të porsalindurit  dhe deri ata të moshës së shkollës. Ekografia përcakton jo vetëm vendndodhjen e testit por e vlerëson atë në madhesi, strukturë dhe vaskularizim. Pra ekografia vlerëson nëse testi është i pazhvilluar mirë apo i fishkur dhe pa shenja jete, informacion që është i nevojshëm për të vendosur nëse pacienti ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Nëpërmjet ekografisë marrim informacion orientues përpara ndërhyrjes kirurgjikale, për përzgjedhjen e metodës kirurgjikale duke eliminuar në shumë raste laparoskopinë.

Ndërhyrja kirurgjikale me Laparoskopi

Të gjithë djemtë  me kriptorkizëm duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale e cila është e vetmja mënyrë trajtimi me anë të të cilës fiksohet testi në skrotum.  Kirurgjia zbulon më qartë edhe gjendjen e testit, nëse është i zhvilluar mirë apo në raste të rralla edhe mungesën e tij. Fiksimi i testit në skrotum (orchidopexy), pra kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale rekomandohet të kryhet përpara moshës 9 muaj - 1 vit sepse në këtë moshë evitohen edhe komplikacionet mjekësore në të ardhmen.

Përse është i rëndësishëm trajtimi i kriptorkizmim në rrugë kirurgjikale?

Zbritja natyrale e testit në skrotum pas moshës 6 muaj është tepër e rrallë, pra në rast se deri në këtë moshë testi/et nuk kanë zbritur atëherë duhet të kryhet ndërhyrja për të evituar pasojat e pakthyeshme në të ardhmen. Sipas studimeve, fiksimi i testit (orchidopexy) e kryer në moshën 9 muaj-1 vit është efikas dhe ka efekte pozitive lidhur me rritjen e testit dhe spermatogenezën.

Përse duhet kryer Ekografia?

Kontrolli mjekësor nga mjekët pediatër zbulon shumë raste me kriptorkizëm në vendin tonë.

Statistikat tregojnë se nga egzaminimet ekografike janë zbuluar një % e lartë e djemve me kriptorkidi në vendin tonë. Jo pak herë, për arsye se të mungesës së informacionit shumë raste zbulohen me vonesë, pra në mosha të rritura dhe të shoqëruara edhe me komplikacione mjekësore sic i përmendëm edhe më lart.

Theksojmë edhe një herë se informacioni mjekësor dhe ndërgjegjësimi i prindërve  mbi këtë anomali nuk  është në nivelin e duhur duke bërë që edhe numri i rasteve të paekzaminuar apo të ekzaminuar vonë është i lartë.

Kriptorkizmi përmban në vetvete jo vetëm komplikacione lidhur me anën mjekësore por gjithashtu kthehet edhe në një problem të ndjeshëm social.

Prandaj, ne si mjekë i bëjmë thirrje  prindërve që  të ndërgjegjësohen mbi pasojat negative që mund të ketë kriptorkizimi i padiagnostikuar në kohë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, sepse kur djali të rritet do t’ju pyesë ju si prindër: Përse nuk më ndihmuat në kohë?

 

Dr. Besa Hidri
Mjeke Imazheri Pediatrike

Tel: 04 23 90 000

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al