Artikuj mjekësor

A mund të shfaqet alergjia ushqimore në çdo moshë?

Alergjia ushqimore është një reaksion që ndodh ndaj ushqimeve që konsumojmë. Këto reaksione alergjike kanë në bazë të tyre reagimin e sistemit tonë imunitar (imunoglobulinën E – IgE), karakteristikë e së cilës është shfaqja e menjëhershme e simptomave pas marrjes së ushqimit (zakonisht brenda disa minutave deri 2 orë). Ekzistenca e IgE-ve specifike ndaj alergenëve ushqimore tregon për sensibilizim, por nuk mund të quhet alergji ushqimore nqs nuk shoqërohet me simptoma klinike pas konsumimit të ushqimit. Simptomat klinike mund të shfaqen me prekje të lëkurës, të traktit tretës, atij kardiovaskular, rrugëve të frymëmarrjes dhe variojnë nga simptoma të lehta deri në situata jetë-kërcënuese. 

Alergjia ushqimore shfaqet më shpesh në fëmijërinë e hershme, por mund të preki çdo moshë. Është vlerësuar se në SHBA rreth 5% e adultëve dhe 8% e fëmijëve  vuajnë nga kjo lloj alergjia. Pjesa më e madhe e alergjive ushqimore shfaqen në fëmijëri dhe mund të kalojnë me  rritjen e fëmijës (si psh.alergjitë nga qumështi apo veza), megjithatë, shumë alergji të tjera janë persistente.

Tashmë është e qartë se alergjia në fëmijëri zhvillohet kryesisht ndaj 8 ushqimeve:

  • qumështi
  • veza
  • mielli
  • soja
  • kikiriku
  • frutat e thata
  • peshku
  • frutat e detit me guackë

Të njëjtat raste vërejmë edhe te të rriturit, por, shkaktarët më të shpeshtë janë kryesisht produktet e detit, kikirku dhe frutat arrore. Alergjia nga kikirikët shfaqet zakonisht në fëmijëri, por ndodh të mbetet edhe në moshë të rritur.

Nga ana tjetër, alergjia nga produktet e detit me guackë ka tendencë të shfaqet më vonë gjatë jetës.  Sipas studimeve në SHBA, vihet re se rreth 52% e të rriturve që kanë alergji ushqimore kanë filluar të kenë simptoma pas moshës 18 vjeç. Nuk është ende e qartë arsyeja pse dikujt i shfaqet një alergji e re ndaj një ushqimi të cilin e ka konsumuar prej vitesh.

Është e rëndësishme të theksohet se alergjia ushqimore nuk është e njëjtë me intolerancen ushqimore. Një reaksion alergjik karakterizohet nga simptoma të qarta si të kruara, skuqje, enjtje, vështirësi në frymëmarrje ose të vjella, të cilat shfaqen menjëherë ose pak pas konsumit të ushqimit.                   Simptomat që shfaqen pas një dite nga konsumi mund të jenë të lidhura me intolerancën ushqimore, por shkencetarët nuk janë ende plotësisht të qartë rreth tyre. Në ndryshim nga kjo e fundit, alergjia ushqimore mund të shfaqet me reaksione të rënda alergjike të cilat mund të përbëjnë rrezik për jetën.

Reaksionet alergjike kanë simptoma të ndyshme, madje edhe i njëjti person mund të përjetojë simptoma të ndryshme në çdo reaksion. Shumica e reaksioneve fillojnë me simptoma në lëkurë si skuqje, enjtje apo urtikarie, por jo gjithmonë ndodh kështu. Situatat më serioze janë rënia e tensionit arterial apo vështirësia në frymëmarrje, të cilat mund të rrezikojnë jetën. Ky rrezik shtohet në rastet kur pacientët me alergji ushqimore vuajnë njëkohësisht edhe nga azma apo riniti alergjik.

Në disa raste, personat me alergji ushqimore mund të kenë reaksion edhe nga ushqimet që përmbajnë gjurmë të proteinave nga të cilat ata kanë alergji, të cilat nuk shkaktohen vetëm nëpërmjet konsumit të këtyre ushqimeve, por ndonjëherë, edhe nga kontakti me lëkurën apo edhe nga avujt gjatë gatimit.

Në fëmijëri shpesh alergjia ushqimore shfaqet në formën e dermatitit atopik apo ekzemës.

Nëse ju keni dyshime, duhet të konsultoheni me mjekun specialist alergolog për një diagnostikim të saktë, përcaktimin e një diete të sigurt si dhe për t’u informuar mbi situatat emergjente të lidhura me këtë kategori të alergjive.

Dr.Maria Zoto
Mjeke Alergologe/Imunologe

Tel: 04 23 90 000

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al