Artikuj mjekësor

ÇFARË DUHET TË DIMË MBI FIBROMIALGJINË OSE DHIMBJEN PA SHKAK?

Çfarë është Fibromialgjia?

Fibromialgjia është një sëmundje që karakterizohet nga dhimbja e shpërndarë në të gjithë trupin. Vetë fjala Fibromialgji do të thotë dhimbje me origjinë nga fibrat dhe muskujt. Kjo sëmundje ul shumë cilësinë e jetës së pacientit por nuk e rrezikon atë. Ulja e cilësisë së jetës ndodh pikërisht për shkak të dhimbjes së vazhdueshme që  sjell  mungesë efikasiteti në punë dhe në  familje.  Nuk është zbuluar akoma shkaktari kryesor apo kura përfundimtare e saj, por mbetet një sëmundje kronike, shenjat e së cilës  mund të menaxhohen vetëm falë mjekimit të duhur dhe ndryshimeve në stilin e jetesës.

Cilat janë shenjat e sëmundjes?

Shenja kryesore është pikërisht dhimbja e shpërndarë kudo në trup.  Dhimbja zgjat mbi tre muaj dhe ka karakter rëndues dhe bezdisës. Personat me Fibromialgji kanë dhimbje të shtuar në disa pika të trupit. Ato janë të shpërndara në mënyrë simetrike në pjesën e qafës, shpatullave, brrylave, vitheve dhe gjunjëve. Por jo gjithomonë i gjejmë të gjitha këto pika të dhimbshme. Disa herë pacienti ankon vetëm dhimbje qafe apo mesi që mjekohen rëndom si Spondiloartroza. Në fakt janë dy sëmundje tërësisht të  ndryshme. Dhimbja në fibromialgji  shoqërohet shpesh edhe me ndjesinë e lodhjes. Pacientët ndihen të lodhur edhe pse mund të kenë fjetur gjatë. Disa herë mund të zgjohen nga gjumi për shkak të dhimbjes ose bllokimit të frymëmarrjes. Pacientët me Fibromialgji mund të kenë dhe probleme të kujtesës, uljes së përqëndrimit apo çrregullime të humorit,  dhimbje koke , probleme me artikulacionin e nofullës madje dhe çrregullime të lëvizshmërisë së zorrës.

 Kush preket më shpesh nga Fibromialgjia?

Femrat janë më të predispozuara për t’u prekur nga kjo sëmundje në krahasim me meshkujt. Kategori në rrezik për Fibromialgji janë edhe personat me sëmundje reumatizmale si; artriti reumatoid, lupusi apo osteoartriti.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e saj?

Shenjat e sëmundjes shpesh mund të shfaqen pas një stresi fizik ose emocional, ndërhyrje kirugjikale apo infeksioni diku në trup. Pra, mënyra se si ne menaxhojmë stresin është shumë e rëndësishme dhe vendimtare në shfaqjen e sëmundjes. Në disa raste shenjat zhvillohen gradualisht pa ndonjë faktor nxitës. Gjenetika mendohet si faktor ndihmues pasi është parë një tendencë familjare e sëmundjes. Mendohet se kemi të bëjmë me një mutacion gjenetik në rrugët nervore që përpunojnë sinjalin e dhimbjes. Nga stimulimi i vazhdueshëm nervor, në tru ndodh rritja jo normale e disa substancave kimike përgjegjëse për transmetimin e dhimbjes. Receptorët e dhimbjes në këta pacientë zhvillojnë një formë kujtese të dhimbjes duke e mbajtur sëmundjen vazhdimisht aktive.

Si bëhet diagnostikimi i kësaj sëmundje?

Diagnoza mund të përcaktohet vetëm nga një mjek që e njeh mirë sëmundjen dhe shenjat e saj. Mjekët Reumatologu dhe neurologu janë mjekët  te të cilët drejtohen më shpesh personat me fibromialgji. Më parë diagnoza përcaktohej duke u bazuar në ndjeshmërinë e lartë ndaj shtypjes mbi disa pika të shpërndara simetrikisht në të gjithë trupin. Ndërsa sot, arrihet në diagnozë edhe nëse nuk janë prezente të gjitha këto pika të dhimbjes. Për diagnostikimin e kësaj sëmundje mjekut specialist  i duhen disa analiza laboratorike ose imazherike, kjo pët të përjashtuar shumë sëmundje të tjera që imitohen nga fibromialgjia. Këtu dua të theksoj edhe një herë që nuk ka asnjë analizë specifike për diagnozën, kjo vendoset vetëm nga mjeku specialist.

Cilat janë komplikacionet e sëmundjes?

Prania e dhimbjes kronike dhe mungesa e gjumit ndikon negativisht në jetën profesionale dhe atë personale të pacientit. Mosinformimi si duhet për këtë sëmundje shpesh shkakton depresion apo ankth.

Si trajtohet Fibromialgjia?

Që të menaxhohet mirë dhimbja dhe shenjat e tjera të sëmundjes duhet një bashkëpunim midis pacientit dhe mjekut. Preparatet që përdoren sot në pacientët me fibromialgji ndihmojnë në lehtësimin e shenjave. Pacientit i këshillohen disa ndryshime në stilin e jetesës të cilat e ndihmojnë shumë për të bashkëjetuar me Fibromialgjinë. Fillimi i aktivitetit fizik si ushtrimet aerobike, ushtrimet fizike në ujë, ushqyerja e shëndetshme apo vetmenaxhimi i  situatave stresante janë disa nga mënyrat për ta kontrrolluar sëmundjen dhe shenjat e saj.

Dr. Blerina Dhamo
Mjeke Reumatologe/ Spitali Hygeia
Tel: 04 23 90 000

Hygeia Group

SPITALI HYGEIA TIRANЁ, pjesë e Grupit Hygeia Greqi, i cili prej 40 vitesh tashmë, vazhdon tё jetё lider nё tregun e sektorit shëndetësor dhe ka si objektiv kryesor të jetë ofruesi më i madh i shërbimeve mjekësore të integruara në gjithë Europën Juglindore.

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al


Zyra e Spitalit Hygeia Kosovë:
Telefon: ‎+386 49 102 008
Email: zyrakosove@hygeia.al