Artikuj mjekësor

Simptomat e deficitit të vitaminës B12 që shumë njerëz i injorojnë

Simptomat shoqëruese të defiçitit nga vitamina B12 shpesh herë mund të jenë të ngjashme  me simptomat e deficititeve të tjera ushqimore, prandaj është e rëndësishme të njohim mirë këto simptoma dhe mbi të gjitha të konsultohemi me mjekun specialist. Nëse ndiheni më të lodhur, anksioz ose më të shqetësuar se zakonisht, shkaktarë mund të jetë mungesa e vitaminës B12.

Ja disa informacione të rëndësishme mbi vitaminën B12 dhe që ju vijnë në ndihmë në rast se keni mungesë të saj.

Ҫfarë është vitamina B12?

Vitamina B12 është një nga vitaminat më të rëndësishme për organizmin. Nivelet e duhura të saj në organizëm janë esenciale për funksionimin normal të AND-së dhe ARN-së, të cilat janë blloqet ndërtuese të çdo qelize në trupin tonë.  B12 na siguron energji, qartësi të mendjes & kujtesë të fortë, përmirësim të gjumit, humorit, sistemit imun, gjendjes së përgjithshme fizike, si dhe kontribuon në menaxhimin e peshës trupore,  në funksionimin  e shëndetshëm të eritrociteve dhe të nervave. Gjendet në mënyre natyrore në ushqimet e pasura me proteina si mishi, peshku, vezët dhe bulmetrat. Studimet kanë treguar se të moshuarit me nivele të ulëta të vitaminës B12 janë 6 herë më të rrezikuar të bëjnë atrofi të trurit sesa ata me nivele të larta. Defiçiti i vitaminës B12 mund të çojë deri edhe në dëmtime te\ë pakthyeshme të trurit apo neurologjike.

Kategoritë më të rrezikuar për të qenë defiçitare të vitaminës B12?

Shumë persona janë të rrezikuar për të qenë defiçitarë të vitaminës B12 kjo për arsye se kanë një veçori të përthithjes së kësaj vitamine ndryshe nga vitaminat e tjera. Të gjitha vitaminat janë të tretshme në ujë, që do të thotë se përthithen së bashku me ujin kur merren nga goja, ose të tretshme në yndyrna, që do të thotë që përthithen së bashku me yndyrnat ushqimore. Vitamina B12 është përjashtimi. Kjo sepse, që të përthithet nga organizmi duhet patjetër të jetë e lidhur me faktorin intrinsik, i cili prodhohet në stomak nga qelizat që prodhojnë edhe acidin klorhidrik. Me kalimin e moshës prodhimi i acidit klorhidrik ulet gjë që, së bashku me përdorimin e tepruar apo të zgjatur të mbrojtësve të stomakut e bëjnë defiçitin e B12 një problem shëndetësor të perhapur dhe shpesh të nënvlerësuar.

Kategoritë e personave të rrezikuar janë:

  • Vegjetarianët, kjo për faktin se vitamina B12 nuk gjendet në ushqimet me bazë bimore
  • Moshat e treta janë gjithashtu të rrezikuar, sepse, me kalimin e moshës trupi nuk perthith siç duhet vitaminën B12
  • Personat qe kanë probleme të traktit tretes, vuajnë nga sëmundje të tiroides etj.

Ҫfarë shkakton defiçiti i vitaminës B12?

Anemi

Pra defiçiti i vitaminës B12 çon në ulje të prodhimit të rruazave të kuqe, të cilat mbartin dhe transportojnë O2. Ulja e tyre pakëson oksigjenimin në nivelet e duhura të organizmit.

Ankesat që lidhen me aneminë që vjen si rrjedhojë e defiçitit të  B12-s  janë:

  • Lodhje ekstreme, e cila nuk qetësohet as edhe nga pushimi
  • Dhimbje muskujsh pas një aktiviteti fare të lehtë fizik
  • Palpitacione të zemrës ( të rrahura të shpeshta si rezultat i mos oksigjenimit të mirë)
  • Vështirësi në frymëmarrje në qetësi
  • Zbehje e lëkurës si rezultat i uljes së prodhimit të rruazave të kuqe

Ndjesi shpimi në lëkurë

A ju ka ndodhur ndonjëherë të keni ndjesi shpimi ose pickimit në këmbë kur shkoni të flini? Kjo ndjesi quhet Neuropati Periferike dhe ndodh si rezultat i dëmtimit të nervave nga mungesa e vitaminës B12. Defiçiti i Vitaminës B12 dëmton shtresën mbështjellëse dhe mbrojtëse të nervave duke shkaktuar një ndjesi të pakëndshme mpirje, shpimi dhe rrallë herë dhimbjeje.

Edhe sëmundje të tjera, si ajo e diabetit, mund të shkaktojnë ndjesi të tilla prandaj, përpara se të arrini në përfundime duhet të konsultoheni me mjekun specialist që teë përjashtojë arsyet e tjera.

Harresë dhe konfuzion

Një nga simptomat më të frikshme të defiçitit të vitaminës B12 është harresa dhe konfuzioni, që te të moshuarit shpesh herë mund të ngatërrohet edhe me demencën.

Ҫrregullime të humorit

Vitamina B12 ndikon në rregullimin e prodhimit të serotoninës, e cila është përgjegjëse dhe ndikon në nivelin e humorit. Nëse ulet niveli i B12 në organizëm ulet edhe niveli i serotoninës dhe si rrjedhojë kemi crregullime të shprehura të humorit, shoqëruar me ankth dhe depresion.

Ndryshime të të parit

Një ndër pasojat e defiçitit të vitaminës B12 mund të jenë edhe vështirësi në të parë, të lexuar, shikim i mjegullt apo me njolla. Nëse dëmtimet në sy kanë ndodhur si rezultat i mungesës së vitaminës B12, mund të rrezikohet nervi optik  me pasojë dëmtime të përhershme të shikimit deri në verbëri.

Zverdhje e lëkurës

Zverdhja e lëkurës ndodh si rezultat i shkatërrimit të rruazave të kuqe në kushtet e defiçitit të B12 dhe  rritje e bilirubinës që zverdh lëkurën dhe sklerat (pjesa e bardhë e syve).

Gjuhë e lëmuar

Individët me deficit  të vitaminës  B12  nuk arrijnë  të ndjejnë  shijen e ushqimeve dhe gjuha është më e sheshtë, edematozë, e skuqur dhe e shkëlqyeshme.

Trajtimi i deficitit të vitaminës B12

Nëse jeni diagnostikuar që vuani nga një defiçit i lehtë  i vitaminës B12, masat që mund të merren jane shtimi në dieten tuaj ushqimore të ushqimeve që të pasura me këtë vitaminë. Por nëse defiçiti është i theksuar, atëherë është i nevojshëm trajtimi me suplemente të vitaminës B12 ose me injeksione, por gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekut.

Konsultohuni me mjekun specialist

Të diagnostikosh saktë prezencën e defiçitit të vitaminës B12 nuk është e lehtë, sepse siç e theksuam edhe më lart, shpesh herë simptomat ndodh të jenë të ngjashme me simptomat e sëmundjeve të tjera.

Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që, përpara se të vendosni të filloni çfarëdolloj trajtimi qoftë edhe thjesht marrje të suplementeve, duhet paraprakisht të konsultoheni me mjekun specialist hematolog. Një analizë e thjeshtë gjaku mund të konfirmojë nëse keni apo jo deficit të vitaminës B12, ndërkohë që mjeku hematolog do të vlerësojë gjendjen tuaj shëndetësore, për të gjetur fillimisht shkaktarin që ka çuar në këtë defiçencë dhe në vijim do të rekomandojë edhe trajtimin e përshtashëm për ju.

Dr.Blerina Koprencka

Mjeke Hematologe/Spitali Hygeia

Tel: 04 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al