Artikuj mjekësor

SI TA KUPTOJMË SE KEMI PROBLEME ME PROSTATËN

Prostata është një gjendër e vogël, në madhësinë e arrës, e pozicionuar përballë pjesës së fundit të zorrës së trashë dhe poshtë fshikëzës së urinës, duke rrethuar kanalin e urinës (uretra). Prostata ndihmon në prodhimin e spermës (lëngun që përmban spermatozoidet).

Me kalimin e viteve kjo gjendër ka tendencë të rritet e për pasojë çon në shfaqjen e problemeve të tilla si:

Prostatitis: Inflamacion i prostatës që shfaqet si pasojë edhe nga infeksione, kryesisht bakteriale dhe shoqërohet me ethe dhe të dridhura. Në disa raste nevojitet të trajtohet me antibiotikë.

Faktorët e rrezikut që çojnë në prostatitis janë:

  • Infeksion i traktit urinar apo i fshikëzës
  • Dëmtime të pelvisit
  • Dehidratim
  • Marrëdhënie seksuale të pambrojtura
  • Mbajtja e kateterit
  • Trashëgimia gjenetike
  • Stresi
  • HIV

Meshkujt në moshë të cilët kanë prostatitis mund të përjetojnë simptoma të tipit:

  • Urinim të shpeshtë sidomos gjatë natës
  • Dhimbje në zonën e poshtme të shpinës
  • Dhimbje ose djegie gjatë urinimit
  • Dhimbje ose siklet në zonën ndërmjet skrotumit dhe rektumit

Zmadhimi i prostatës: quajtur ndryshe hipertrofia beninje e prostatës (BPH) i cili është fenomen fiziologjik që prek më së shumti meshkujt mbi 50 vjeç.

Me rritjen e volumit të prostatës rritet mundësia e problemeve me urinimin, probleme të cilat rëndohen me kalimin e viteve.

Trajtohet me mjekim ose ndërhyrje kirurgjikale bazuar në avancimin e BPH-së.

Faktorët e rrezikut që çojnë në rritjen e incidencës së BPH janë:

  • Mosha – kryesisht pas moshës 50 vjeçare
  • Historia familjare e BPH.

Simptomat shoqëruese të BPH:

  • Urinim i shpeshtë sidomos gjatë natës
  • Nevojë e papritur për të urinuar
  • Vështirësi në fillim të urinimit
  • Inkontinencë urinare
  • Ndjesi e moszbrazjes plotësisht të fshikëzës
  • Sforcim për të urinuar
  • Dhimbje gjatë urinimit
  • Mbetje gjaku në urinë

Kanceri i prostatës: Është ndër format më të hasura të kancerit te meshkujt, por me një raport vdekshmërie jo shumë të lartë.

Kanceri i prostatës trajtohet në disa forma dhe përkatësisht:

  • Kirurgji
  • Radioterapi dhe kimioterapi
  • Në raste të rralla ndodh që nuk ka nevojë për trajtim dhe është i nevojshëm vetëm monitorimi i pacientit në mënyrë periodike.

Shkaqet që çojnë në shfaqjen e kancerit të prostatës ende nuk janë të njohura, por disa faktorë të rreziku që mund të ndikojnë janë:

  • Historia familjare
  • Historia personale me sëmundje seksualisht të transmetueshme
  • Mosha
  • Obeziteti

Kanceri i prostatës në fazat e hershme të tij zakonisht nuk shoqërohet me simptoma. Ndërsa në fazat e mëvonshme të tij, pra me përhapjen e sëmundjes shoqërohet me simptoma të tipit:

  • Inkontinencë urinare
  • Mbetje gjaku në urinë
  • Dhimbje në zonën pelvike
  • Impotencë
  • anemia
  • Dhimbje shpine
  • Dhimbje të kockave
  • Enjtje e këmbëve
  • Humbje peshe e menjëhershme

Në përgjithësi kanceri i prostatës nuk hyn në kategorinë e tumoreve agresive dhe përparon në mënyrë të ngadaltë. Pikërisht ky është shkaku pse evidentimi i tij bëhet rrallëherë në fazat e hershme duke sjellë komplikacione të mëvonshme dhe pamundësi në kurim.

Parandalimi është rruga më e lehtë  dhe e sigurt për një jetë të gjatë e të shëndetshme. Prandaj, për të zbuluar prezencën e kancerit në prostatë, mjekët rekomandojnë kryerjen e një testi gjaku të quajtur PSA. Testi PSA rekomandohet të kryhet një herë në vit për meshkujt mbi moshën 50 vjeç që shfaqin probleme me prostatën, për meshkujt mbi 40 vjeç që kanë histori familjare të kancerit të prostatës si dhe për të gjithë meshkujt të cilët shfaqin simptomat apo shqetësimet e sipërpërmendura.

Departamenti i Urologjisë Hygeia

Tel: 04 23 90 000

Spitali Hygeia Tiranë

SPITALI HYGEIA TIRANЁ është spital privat i nivelit ndërkombëtar me një investim fillestar prej 60 milion euro, duke qenë i vetmi spital në Shqipëri i konceptuar që në fillesat e tij si strukturë spitalore, si nga pikëpamja strukturore ashtu edhe nga ajo funksionale. 

Lexo me shumë...

Newsletter

Abonohu per te mare njoftimet tona me email:

Si të arrini në Hygeia

Kontakte

Spitali Hygeia Tiranë:
Sekretaria: + 355 4 23 90 000
Urgjenca: + 355 4 23 23 000
Email: info@hygeia.al