Pacientë & Vizitorë

Kartat e Shëndetit Hygeia

 Karta Pediatrike

SHERBIME AMBULATORIKE & HOSPITALIZIME

Çmimi: 13.900 Lekë

Përfituesve të kësaj kartë ju ofrohen për herë të parë çmime preferenciale jo vetëm për shërbimet ambulatorike por edhe për rastet e hospitalizimeve (shtrimeve në spital).

Cilat janë shërbimet që përfitoni:

  1. 1.000 Lek, vetëm vizita me Mjekun Pediatër (2 në çdo muaj)
  2. 20% zbritje për pacientët ambulatorikë (ekzaminime Imazherike & Laborator)
  3. 20% zbritje në rast hospitalizimi (vetëm për rastet pathologjike)
  4. 15% zbritje në Paketat Kirurgjikale
  5. Ambulanca falas në Tiranë, për raste urgjente
  6. 50% zbritje për Ambulancën për destinacione jashtë Tiranës, për raste urgjente
  7. Vizitë falas me mjekun Stomatolog në Klinikën Hygeiadent
  8. Vizita me psikologun falas

Si funksionon kjo kartë:

  1. Kartën mund ta blini vetëm pranë ambjenteve të Spitalit Hygeia Tiranë
  2. Menjëherë pasi kryeni pagesën prej 13.900 lek, ju pajiseni me kartën përkatëse, të cilën duhet ta keni me vete në çdo vizitë tuajën në Spitalin Hygeia Tiranë
  3. Me kryerjen e pagesёs, ju mund tё pёrfitoni menjёherё nga shёrbimet qё ju ofron kjo kartё
  4. Karta është e vlefshme për një periudhë 1(një) vjecare.
Pranimi i planifikuar në Spital

Mjeku juaj kurues do t’ju japë udhëzimet e duhura rreth pranimit të planifikuar.

Sapo të paraqiteni në Spitalin HYGEIA drejtohuni te sekretaria e Recepsionit Qendror, personeli i së cilës do t’ju orientojë për te zyrat e Shërbimi ndaj Pacientit, në katin 0 ( kati përdhe). Personat përgjegjës të Shërbimit ndaj pacientit do t’ju asistojnë në plotësimin e dokumentacionit tuaj ku do të regjistrohen të dhënat tuaja personale. Në momentin e regjistrimit do t’ju kërkohet informacion nëse jeni mbartës i ndonjë karte sigurimi shëndetësor, pra nëse dispononi Kartë Sigurimi Shëndetësor qoftë Kombëtare apo Ndërkombëtare, në rast se po duhet ta deklaroni në momentin e parë të regjistrimit të të dhënave tuaja personale. Në vijim, stafi përgjegjës do t’ju shoqërojë pranë Departamentit përkatës duke ju ofruar të gjithë asistencën e nevojshme.

Pranimi në Spital në rast Urgjence Mjekësore ose pas orarit zyrtar

Në rastet kur do të paraqiteni në Spital si rast urgjence Mjekësore apo ditë pushimi zyrtar duhet të paraqiteni në Departamentin e Urgjencës Mjekësore i cili funksionon 24 orë dhe ndodhet në katin 0 ( kati përdhe), hyrja në pjesën e mbrapme të Spitalit. Stafi i këtij departamenti do t’ju informojë mbi proçesin e pranimit si dhe do t’ju ndihmojë në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Në raste urgjence, nëse jeni me makinën tuaj personale, makina duhet të ndjekë korsinë e veçantë të hyrjes për në Departamentin e Urgjencës, hyrje e cila ndodhet ne pjesën e mbrapme të Spitalit.

Përgatitje

Çfarë duhet të keni me vete në dosjen tuaj personale përpara shtrimit në Spital:

  1. Kartë Identiteti, Letërnjoftim ose Pasaportë
  2. Kartë Sigurimi Shëndetësor, kombëtare ose ndërkombëtare (në rastet kur e dispononi një të tillë)
  3. Historikun tuaj mjekësor
  4. Informacionin mjekësor : kopje të çdo informacioni mjekësor që mund të keni, të tilla si : X-ray ( grafi, eko, MRI, CT-SCAN  ), rezultate të analizave laboratorike, diagnoza mjekësore sidomos ato të kryera brenda 30 ditëve të fundit.

Kontrolli  preoperator (përpara operacionit)

Nëse jeni programuar për ndërhyrje kirurgjikale mjeku që ju ndjek do t’ju këshillojë mbi kontrollet mjekësore që duhet të kryeni përpara ndërhyrjes, pra ditën dhe orën kur duhet të paraqiteni.  Ditën e përcaktuar nga mjeku për të kryer kontrollin preoperator, do të shoqëroheni nga personeli përgjegjës të cilët do t’ju drejtojnë në departamentet e caktuara për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Pas përfundimit të kontrollit paraprak dosja juaj do të mbahet nga zyra e pranimit të pacientit ku do të depozitohen të gjitha përgjigjet e ekzaminimeve dhe do të jenë gati ditën që ju do të kryeni ndërhyrjen kirurgjikale.

Trajtimi medikamentoz i mëparshëm

Ju lutemi, sigurohuni që të informoni në mënyrë të saktë mjekun tuaj kurues për medikamentet dhe dozat përkatëse që jeni duke marrë me qëllim përfshirjen/ adaptimin e tyre në trajtimin që do të përshkruajë mjeku.

KUJDES : Nuk mund të merrni asnjë lloj medikamenti pa u konsultuar paraprakisht me mjekun tuaj kurues. Informoni gjithashtu mjekun për çdo medikament pa recetë ( medikamente të përdorimit të përgjithshëm dhe që nuk janë rekomanduar nga mjekë) me të cilat jeni trajtuar, jeni ende në trajtim apo i  keni ndërprerë gjatë 3 muajve të fundit.

Ushqyerja para çdo lloj proçedure/ ekzaminimi

Mjeku kurues do t’ju këshillojë nëse mund të përdorni ndonjë ushqim apo lëngje përpara çdo lloj proçedure/ ekzaminimi që duhet të kryeni.

Sendet personale

Ne ju sugjerojmë që sendet personale me vlerë t’i lini në shtëpi ndërkohë që sendet personale të higjenës mund ti mbani në dhomën tuaj. Për informacion të mëtejshëm mund të pyesni personelin përgjegjës të Shërbimit ndaj Pacientit. Ndërkohë Spitali ju siguron veshjet që do të përdorni gjatë shtrimit (si peshqirë, robdishambër ose pizhama dhe pantofla) të cilat do t’ju duhen gjatë qëndrimit tuaj në Spital.

Informacion për Vizitorët / Familjarët

Të Nderuar familjarë dhe vizitorë!

  • Gjatë vizitës Tuaj, ju kërkohet të respektoni rregulloren e brendshme të Spitalit Hygeia Tiranë.
  • Orari i vizitave të pacientëve është: 11.00 – 13.00 dhe 17.00 – 20.00

Jashtë këtij orari, vetëm një familjar mund të qëndrojë me pacientin dhe duhet të ndjekë instruksionet e dhëna nga stafi i Spitalit.

  • Juve ju kërkohet të ndiqni udhëzimet e stafit të Spitalit kur ata ju njoftojnë që orari i vizitave ka përfunduar dhe ju kërkohet të largoheni.
  • Gjatë proçedurave mjekësore, të gjithë familjarët dhe vizitorët duhet të qëndrojnë në hapsirat e përcaktuara të pritjes.
  • Ndalohet qëndrimi në të njëjtën kohë i më shumë se dy vizitorëve në dhomën e pacientit.
  • Ndalohet përdorimi i tualetit dhe /ose krevatit të papërdorur në dhomën e pacientit nga ana e familjarëve dhe vizitorëve të tjerë.
  • Ndalohet për të gjithë fëmijet nën moshën 14 vjeç të vizitojnë dhomat e pacientëve, përfshi këtu edhe departamentet e Maternitetit dhe Pediatrisë.
  • Ndalohet sjellja e ushqimeve dhe e pijeve nga jashtë për pacientët (kjo për  të parandaluar komplikacione të mundshme mjekësore, që mund të krijohen si pasojë e përdorimit të ushqimeve të pa rekomanduara).
  • Ndalohet qëndrimi i vizitorëve pranë nënës së re gjatë ushqimit të foshnjes me gji.
  • Për të siguruar mirëqenien e pacientëve tanë përfshi këtu dhe foshnjat, nuk lejohet të mbani lule nëpër pavione.
Shtrimi në Spital

Gjatë qëndrimit tuaj në Spital, i gjithë stafi ynë mjekësor, infermieror dhe administrativ do të jenë në dispozicionin tuaj duke ju shërbyer me efikasitet dhe në mënyrën më të shpejtë, efikase dhe dinjitoze. Përveç kujdesit për shëndetin tuaj, ne sigurohemi që të respektojmë çdo të drejtë tuajën si pacient. Për më tepër, kujdesemi në mënyrë të personalizuar për çdo kërkesë apo bindje tuajën personale shpirtërore dhe kulturore dhe do të përpiqemi t’ju kuptojmë dhe të plotësojmë kërkesat tuaja. Për çdo pyetje, paqartësi apo informacion, do të keni në dispozicionin tuaj  personelin mjekësor, mjek ose infermier të katit në të cilin jeni i shtruar.

Konfidencialiteti

Të gjitha të dhënat tuaja trajtohen në mënyrë konfidenciale. Qëllimi ynë është të ruajmë privatësinë tuaj, prandaj diskutimet në praninë e të tjerëve, përveç rasteve kur ju jeni dakort, këshillohen të shmangen. Të gjitha informacionet mjekësore të regjistruara në dosjen e pacientit si, historiku mjekësor apo gjendja aktuale shëndetësore, konsiderohen si të dhëna personale dhe si të tilla  trajtohen me shumë kujdes dhe privatësi maksimale nga administrata e Spitalit HYGEIA.

Në dhomën tuaj

Të gjitha zonat e qëndrimit në HYGEIA janë projektuar posaçërisht për t’ju ofruar një ambient të rehatshën dhe të sigurt gjatë gjithë qëndrimit tuaj. Të gjitha dhomat janë të pajisura me të gjitha kushtet dhe komoditetet e nevojshme. Ҫdo shtrat është i pajisur me buton thirrje për infermieret në rast nevoje. Jeni të lutur të mos mbani në dhomën tuaj sendet me vlerë, sepse spitali nuk mban përgjegjësi për to.

Për sigurinë tuaj lutemi të mbahet parasysh që:

  1. Shtretërit janë më të lartë dhe më të ngushtë se shtretërit normal, prandaj kini kujdes gjatë lëvizjes apo kur ngriheni prej tyre.
  2. Të mos lëvizen shufrat anësore apo çdo element tjetër i shtratit pa njoftuar fillimisht infermieren pasi kjo përbën rrezik dhe mund t’ju lëndojë.
  3. Nuk lejohet largimi nga pavioni ku jeni i hospitalizuar (i shtruar), përveç rasteve të nevojshme që duhet për të kryer ekzaminime dhe gjithmonë sipas porosive të personelit mjekësor përgjegjës.
  4. Njoftoni personelin përgjegjës në moment që vini re që ndonjë nga pajisjet në dhomën tuaj nuk funksionon sic duhet.
  5. Kërkoni ndihmë në rastet kur doni të lëvizni nga shtrati, sidomos gjatë natës.

Mospranimi i trajtimit

Gjatë shtrimit në spital, pasi jeni informuar plotësisht për gjendjen tuaj shëndetësore do t’ju kërkohet nga personeli përgjegjës të nënshkruani disa dokumenta ligjore të quajtur Formularë Pëlqimi, të cilat kanë lidhje me  trajtimin tuaj mjekësor. Këto formularë nuk kanë të bëjnë vetëm me kujdesin e përgjithshëm spitalor, por edhe me ndërhyrjet kirurgjikale apo ekzaminimet të cilave do t’i nënshtroheni apo transferimet në rastet kur vlerësohet e nevojshme nga ekipi mjekësor përgjegjës. Në të gjitha rastet do të kërkohet marrëveshja juaj absolute duke respektuar dëshirat tuaja. Çdo pacient apo të afërmit që e shoqërojnë atë, pas marrjes së informacionit të nevojshëm nga ana e mjekut, kanë të drejtë për të ndaluar mjekimin me dësihirën e tyre duke marrë përsipër pasojat e një një vendimi të tillë. Në të tilla raste ata do të informohen edhe mbi trajtimet alternative që mund të përdoren në vend të trajtimit të sugjeruar. Në rast se, edhe pas sqarimit dhe informimit të detajuar të bërë nga mjeku përgjegjës mbi efektet anësore që mund te sjellë mospranimi i trajtimit, mjeku detyrohet të mos kryejë asnjë proçedurë mjekësore.

Detyrimet e pacientit

Rregullat e spitalit HYGEIA synojnë t’ju mbrojnë ju në rradhë të parë, prandaj lutemi ti respektoni ato dhe po të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga të afërmit apo vizitorët tuaj. Personeli mjekësor bën përpjekjet maksimale për t’ju ofruar shërbimet më të mira shëndetësore të mundshme ndërkohë nga ana juaj kërkojmë respektimin e rregullave si më poshtë.

Lutemi që të:

  • Jepni informacion të saktë në lidhje me të dhënat tuaja personale, historinë tuaj mjekësore, shtrime të mëparshme nëse keni patur, medikamentet që merrni apo keni marrë si dhe çdo informacion tjetër që lidhet me shëndetin tuaj. Po kështu jeni të lutur të raportoni çdo ndryshimin në gjendjen tuaj mjekësore te personeli përgjegjës (mjekësor ose infermieror).
  • Bashkëpunoni ngushtë me stafin e spitalit dhe merrni pjesë aktive në planifikimin e trajtimit tuaj mjekësor para dhe pas largimit nga spitali.
  • Ndiqni me përpikmëri planine trajtimit të rekomanduar në bashkëpunim me mjekun kurues. Nëse keni nevojë për ndonjë informacion apo sqarime të mëtejshme mbi planin e trajtimit apo udhëzimet mjekësore që ju janë dhënë, atëherë lutemi të kontaktoni me stafin mjekësor ose infermieror që ju ka ndjekur.
  • Jepni informacion të saktë dhe bashkëpunoni ngushtë me departamentin e Financës së Pacientit për të marrë informacionin e saktë mbi faturën tuaj të qëndrimit (shtrimit) në Spital.
  • Tregoni respekt dhe ndjeshmëri ndaj nevojave të pacientëve të tjerë dhe stafit mjekësor dhe infermieror.
  • Respektoni me përpikmëri oraret e vizitave në mënyrë që të mos shqetësoni pacientët e tjerë. Po ashtu për të njëjtën arsye, lutemi të ruani qetësinë, të mos vendosni muzikë në celularë dhe gjithashtu të përcillni të njëjtin rregull edhe te të afërmit dhe familjarët tuaj.
  • Trajtoni me kujdes dhe mirëmbani mjediset e spitalit dhe pajisjet përreth.

Kujdes !

  1. Pirja e duhanit, alkoolit dhe përdorimi i substancave narkotike në ambientet e Spitalit janë rreptësisht të ndaluara.
  2. Nuk lejohet mbajtja e luleve apo bimëve nëpër dhomat e shtrimit.
  3. Nuk lejohet sjellja e ushqimeve nga jashtë spitalit. Spitali garanton ushqimin e pacientëve sipas dietave të mirëpërcaktuara nga mjekët kurues.
  4. Një anëtar i familjes apo vizitor mund të qëndrojë me pacientin pas orarit të vizitave vetëm me miratim me shkrim të personelit përgjegjës.
Dalja e pacientit nga Spitali

Dita e daljes nga spitali

Bazuar në gjendjen tuaj shëndetësore, është mjeku kurues që do të vendosë dhe do t’ju komunikojë ditën e daljes nga spitali HYGEIA.

Në mënyrë që ju të mund të dilni brenda orës 12:00, orar në të cilën organizohen daljet nga spitali, personeli përgjegjës bën gati të gjitha procedurat e detyrueshme të daljes nga Spitali. Në rastet kur vlerësohet e nevojshme, mjeku t’ju japë udhëzimet e nevojshme mbi çfarë duhet të bëni si dhe medikamentet (në rast se do të keni nevojë) që duhet të merrni në ditët në vijim pas daljes nga Spitali.

Largimi nga HYGEIA

Ne rekomandojmë që një anëtar i familjes apo një person i afërm i juaji të vijë për t’ju shoqëruar në mometin e daljes nga Spitali. Nëse mjeku juaj e gjykon të nevojshme, ju do të transferoheni për në shtëpinë tuaj me ambulancën HYGEIA (kontaktoni Zyrën e Pranimit të Pacientëve për detaje të mëtejshme).

Dëshmitë e Pacientëve

Kam kënaqësi të flas për personelin e Spitalit Hygeia Tiranë. Janë shumë të mirë e të sjellshëm, të përkushtuar për pacientët. Infermierët më lanë përshtypje shumë të mirë. Mjekët janë shumë të përkushtuar e të suksesshëm. Jam e kënaqur nga çdo njeri. I uroj personelit të Spitalit Hygeia suksese në të ardhmen. (A.B)

Jam pacient i cili e frekuentoj shpesh Spitalin Hygeia Tiranë. Ndaj përshtypjet më të mira për gjithshka. Ju keni mjekë specialistë, punonjës e infermier mjaft të kualifikuar e të përkushtuar deri në detaj. Shoh punonjës të moshave të ndryshme të gatshëm në çdo moment për të ndihmuar pacientët. Ka komunikim fantastik e përkujdesje shembullore. Ju jeni të parët, dhe ne, të parët për tek ju. Faleminderit Hygeia. (I.M)

Nuk do të kisha marrë trajtim më të mirë edhe po të ndodhesha në vendin tim. Personeli juaj është më i sjellshmi dhe i kujdesshmi që kam njohur. Ata janë ambasadorë të mire të Spitalit Hygeia Tiranë dhe të Shqipëris. (H.W)

Në Spitalin Hygeia Tiranë gjetëm një personel dhe shërbim të shkëlqyer. Ne ju falenderojmë shumë për gjithshka. Të gjitha shërbimet e personelit mjekësor e infermieror të përkryera. Mjekët e spitalit janë shumë profesionistë të talentuar për çdo lloj ekzaminimi. (B.C)

Dëshiroj të falenderoj të gjithë personelin e Spitalit Hygeia Tiranë. Në veçanti falenderoj kardiokirurgun i cili bëri një ndërhyrje kirurgjikale speciale. Gjithashtu dëshiroj të falenderoj neurologun si dhe personelin infermieror për shërbimin e shkëlqyer. Me respekt. (A.N)

Jeni personel i mrekullueshëm mjekësor dhe i një niveli të lartë. Standartet europiane të Spitalit Hygeia Tiranë më bëjnë që t’ja rekomandoj çdo kujt. Faleminderit çdo pjestari të personelit që e bëri shumë të lehtë e të pëlqyeshëm qëndrimin tim këtu. (B.K)

Jam shumë e kënaqur nga personeli mjekësor, në veçanti kirurgu ortoped i cili na është gjendur shumë pranë. Do ja rekomandoj shumë personave në nevojë Spitalin Hygeia Tiranë. (A.S)

Faleminderit Spitalit Hygeia Tiranë për pritjen e sjellshme dhe kujdesin e mjekëve tuaj. Ishte një kënaqësi të isha pacient i spitalit tuaj. Faleminderit për bisedat e këndshme dhe kohën që më keni kushtuar. E kam njoftuar kompaninë time të sigurimit se Spitali Hygeia është më i miri në Tiranë dhe ata e kanë vendosur në listën e tyre të spitaleve me mjekë, personel dhe shërbim të mirë. Edhe një herë faleminderit nga një pacient i lumtur dhe i kënaqur. Përshëndes të gjithë mjekët dhe personelin të cilët e bënë qëndrimin tim të paharrueshëm. (E.L)

Jam shumë e kënaqur me shërbimet e Klinikës se Fertilitetit. Nuk kam pasur asnjëherë vonesa dhe të gjithë janë shumë të kujdesshëm e të komunikueshëm. Ju falenderoj të gjithëve për shërbimin dhe punën tuaj korrekte. (Sh.M)

Shërbimi i pritjes në Ambulatorin e Spitalit Hygeia Tiranë është në nivel shumë të mirë. Punonjësit të cilët na shoqëruan gjatë gjithë kohës ishin shumë të gatshëm. Impenjimi i mjekëve gjithashtu ishte shumë i mirë. Komunikimi perfekt. Jam shumë i kënaqur. (A.C)

Në datën 2 Janar u hospitalizova në Spitalin Hygeia Tiranë në një gjendje majft kritike. Ajo që unë pash është për t’u adhuruar dhe vlerësuar maksimalisht. U vendosa në Njësinë e Terapisë Intesive dhe aty takova njerëzit me ideal të shoqerisë sonë. U diagnostikova shumë shpejt dhe mora një shërbim të shkëlqyer. Dua të shpreh vlerësimin tim maksimal për ta. Faleminderit shumë. (N.H)

Personeli spitalor (Mjekët, Infermierët, Administrata) janë treguar shumë profesional dhe korrekt. Shërbimi është ofruar në kohë rekord dhe me të gjitha informacionet e duhura. Ne si pacientë kemi histori të gjatë me Spitalin Hygeia dhe jemi shumë të kënaqur. Shpesh herë ua këshillojmë dhe kolegëve e familjarëve tanë shërbimet tuaja. Duke ju përgëzuar për profesionalizmin e treguar, ju falenderoj shumë që ndihmuat ardhjen në jetë të djalit tonë. (E.P.)

Ne u sugjeruam nga një mike që të bënim një vizitë mjekësore në Spitalin Hygeia Tiranё me mjekun i cili mori përsipër dhe operacionin. Me anë të eksperiencës tonë në këtë spital, përveç se u ndamë shumë të kënaqur, do të referojmë dhe persona të tjerë të kryejnë vizita këtu. Personel i mrekullueshëm, kushte të shkëlqyera si dhe mjekë humanë dhe ekspert. (A.B)

Shërbimi në Njësinë e Terapisë Intesive është i përsosur. Personeli i shkëlqyer dhe i kualifikuar, si dhe mjekët shumë të mirë. Mbetëm shumë të kënaqur nga shërbimi dhe puna. Jeni të mrekullueshëm. (A.S)

Jam shumë e kënaqur nga përkujdesja që kam pasur nga personeli infermieror, gjithashtu dhe nga ekipi i mjekëve në Departamentin e ORL-së. Me respekt. (A.K)

Sjellje e shkëlqyer nga ana e personelit të Ambulatorit, dhe predispozicion maksimal për mbarëvajtjen e vizitës pranë mjekut përkatës. Ndihem shumë e vlerësuar. Respekte. (E.P)

Unë si paciente jam ndjekur që në fillim të shtatëzanisë time në Spitalin Hygeia Tiranё. Gjatë gjithë peiudhës së trajtimit tim në këtë spital jam ndjerë shumë mirë si në aspektin e trajtimit shëndetësor, por edhe në aspektin e vëmendjes dhe komunikimit nga i gjithë personeli i spitalit. Më janë dhënë gjithmonë shpjegimet e duhura për pyetjet që kisha dhe në kohën e duhur. Vlerësoj gjithashtu edhe kushtet e shërbimit në këtë spital. Veçanërisht, do të doja të falenderoja mjekun tim për kujdesin, këshillat mjekësore, komunikimin dhe gadishmërinë. Falë kujdesit dhe këshillave të tij çdo gjë shkoi shumë mirë si për mua ashtu dhe për djalin tim të sapolindur. Po kështu, do të doja të thoja se falë vlerësimit për trajtimin mjekësor dhe shërbimin që gjeta në spitalin tuaj, vendosa që edhe ndjekjen e mëtejshme të fëmijës ta bëj me mjekët tuaj. (E.P)

Koha e qëndrimit tim në Spitalin Hygeia Tiranё ka qenë për 48 orë në Pavionin e Patologjisë. Shërbimi e pastërtia ishin të përkryera e shumë profesionale. Mjekët dhe infermierët të cilët më kanë shërbyer ishin tepër profesional dhe të sjellshëm. Faleminderit për gjithshka. (K.Q)

Në Pavionin e Kimioterapisë personeli është shumë i sjellshëm dhe i këndshëm në komunikim. Shërbimi është shumë i mirë. I përgjigjen çdo pyetje me qetësi dhe përkushtim. (B.Xh)

Ka qenë një eksperiencë e parë në Spitalin Hygeia Tiranё dhe gjatë gjithë periudhës kemi ndjerë një trajtim shumë optimal, njerëzor dhe të kujdesshëm. Personeli mjekësor ka qenë gjithmonë dhe tërësisht i gatshëm për shpjegime dhe mbështetje duke na orientuar saktë dhe me kompetencë. Faleminderit. (K.T)

Të gjitha shqetësimet që të shkakton një sëmundje (dhimbje, mërzi, pasiguri, mosvlerësim) e gjejnë zgjidhjen më të mirë në Spitalin Hygeia Tiranё. Si rezultat i sjelljes profesionale, edukatës dhe buzëqeshjes së të gjithë personelit pa përjashtim (mjekё, infermierё, administratë), Spitalin Hygeia Tiranё do t’ua rekomandoj kujtdo që kërkon shërbim cilësor dhe dinjitoz për zgjidhjen e problemeve shëndetësore. (A.P)

Problemet e mia shëndetësore në 4 (katër) vitet e fundit kanë qenë mjaft të mëdha. Spitali Hygeia Tiranë është një ndër spitalet ku unë kam marrё një trajtim mjaft cilësor dhe të kënaqshëm. Në vitin 2013, nisa të marr shërbim në Departamentin e Hemodializës, ku personeli mjekësor dhe infermieror është treguar mjaft i kujdesshëm. Hemodializa ka qenë një proçes tepër i vështirë dhe i lodhshëm për mua, por personeli i këtij spitali arriti të më garantonte kushtet dhe standardet më të larta gjatë këtij proçesi. Falenderoj mjeket nefrologe si dhe të gjithë personelin infermieror. Në fund të vitit 2016, nisi proçedura e transplantimit të veshkës e cila mu dhurua nga mamaja ime. Në çdo moment që kisha nevojë për informacion apo nëse kisha ndonjë shqetësim, mjekët ishin të gatshëm të përgjigjeshin në kohë rekord. Dëshiroj të falenderoj mjekun kirurg si dhe mjekun anestezist për ndërhyrjen, si dhe të gjithë personelin për mbështetjen dhe kujdesin e treguar. Pastërtia dhe qetësia ishte e përkryer, ashtu si dhe ushqimi i një cilësie të lartë. Spitalin Hygeia Tiranё, për këtë shërbim të përkryer, do t’ja këshilloj të afërmve dhe miqve të mi. (A.H)

Unë si paciente kam marrë shërbimin e duhur, në momentin e duhur me një profesionalizëm të niveleve të larta në Departamentin e Onkologjisë. Personeli infermieror, dhuron çdo herë përveç profesionalizmit edhe dashuri, buzëqeshje dhe respekt. Sëmundje të tilla janë disi të rënda nga ana psikologjike për pacientin, por në Spitalin Hygeia Tiranë çdo gjë kalon mirë për shkak të kushteve, qetësisë, dashurisë dhe dëshirës që ka i gjithë personeli për të bërë pacientin të ndihet mirë dhe ta kalojë këtë çast të vështirë me optimizëm. Informacioni që marrim gjithashtu është i rëndësishëm dhe ai jepet në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë. Mjekja kuruese është gjithmonë e disponueshme. Qetësia, çiltërsia, komunikimi i qartë, janë ato çka duhet për ta quajtur atë artiste sepse për mua ashtu ka qenë vërtetë. (V.G.)

Dëshiroj t’ju falenderoj për shërbimin në spitalin tuaj dhe veçanërisht mjekun kirurg i cili kreu me sukses operacionin dhe gjithë stafin mjekësor që mori pjesë. Gjtithashtu falenderoj të gjithë stafin e spitalit për shërbimin në kohë dhe përkujdesjen maksimale në dhomë. Jeni të mrekullueshëm. Ju faleminderit. (M.P)

Falenderoj stafin e Spitalit Hygeia Tiranë. Janë treguar të mrekullueshëm. Jemi shumë të kënaqur. Në veçanti falenderoj personelin infermieror. Nëna ime është ndjerë shumë komode, dhe unë gjithashtu. Respektet e mia për personelin e recepsionit. Per sa i përket mjekut ortoped, është treguar shumë i kujdesur. Nuk i ka munguar as humori dhe batutat. Përshtypet më të mira me sinqeritet. Do të shihemi pas 6 muajsh sërish. Deri atëherë ju uroj punë të mbarë. (J.L)

Në Departamentin e Kemioterapisë në Spitalin Hygeia Tiranë, shërbimi është i një niveli të lartë. (R.S)

Shërbimi në Spitalin Hygeia Tiranë është shumë cilësor. Mjekja kardiologe që më shërbeu është specialiste shumë e mirë, po ashtu dhe shërbimi i Ambulatorit. (K.T)

Personeli infermieror në Departamentin e Pediatrisë është shumë i sjellshëm dhe profesionalisht të zotët. Për sa i përket rastit tonë, kanë bërë një mjekim shumë të mirë duke evituar dhimbjen e bebes në maksimum. Ju faleminderit. (H.H)

Jemi shumë të kënaqur nga personeli i Spitalit Hygeia Tiranë. Faleminderit shumë, në veçanti personelit infermieror. (R.B)

Personeli është treguar tepër miqësor në Spitalin Hygeia Tiranë. Pritja ka qenë në nivele më të larta se ajo që prisja. Shumë pastër dhe i gjithë personeli i Urgjencës ishin të gatshëm të ofronin ndihmë dhe mbështetje, veçanërisht një prej infermierëve i cili më bëri të ndihem e mirëpritur dhe e sigurt në të gjitha aspektet e marrjes së mjekimit të duhur dhe trajtimit. Për sa i përket Pavionit të Patologjisë, dëshiroj të falenderoj pesonelin infermieror për mirëpritjen turn pas turni. Faleminderit të gjithëve. (M.D)

Personeli mjekësor dhe infermieror i Pavionit të Patologjisë në Spitalin Hygeia Tiranë është shumë i mirë, perfekt, i saktë dhe me kulturë. (S.L)

Komenti i vetëm i yni është që largohemi nga Spitali Hygeia Tiranë me përshtypje shumë të mira për shërbimin në përgjithësi dhe në veçanti vlerësim maksimal për mjekun kirurg urolog dhe stafin e tij të ngushtë. (F.S)