Shtatzënia Ekstrauterine(barra jashtë mitre)
Ҫfarë është shtatzënia ekstrauterine?
Shtatzënia ekstrauterine ndodh atëherë kur veza e fekonduar nuk implantohet në mitër por diku tjetër (vendoset dhe fillon të zhvillohet jashtë uterusit). Vendi ku më shpesh ndodh implantimi është në njërin prej tubave të Falopit, prandaj shpeshherë këto shtatzëni njihen ndryshe edhe si shtatzëni tubare.
Zhvillimi i shtatzënisë jashtë mitre mund të dëmtojë tubat apo vendin ku zhvillohet dhe konsiderohet urgjencë mjekësore pasi rrezikon jetën e gruas dhe çon në humbje të shtatzënisë.
Zakonisht zbulohet midis javës së 5-të dhe të 10-të të zhvillimit të shtatzënisë.
Shtatzënitë ekstrauterine(jashtë mitre) shkaktohen nga një apo më shumë faktorë, si mëposhtë:
- Infeksioni apo inflamacioni mund të shkaktojë dëmtime në tubat e fallopit, duke i bllokuar pjesërisht apo dëmtuar funksionin normal të tyre
- Operacione të mëparshme mund të lënë pasoja në tubat e falopit, duke penguar lëvizjen normale të vezëve të fekonduara në drejtim të mitrës, dhe favorizuar implatimin e embrionit në tub
- Defektet nga lindja apo zgjatimet jonormale të tubave mund të rezultojnë në anomali të formës së tyre
Faktorët të cilët mund të rrisin rrezikun për shtatzëni ekstrauterine (jashtë mitre) janë:
- Mosha e nënës mbi 35 vjeç
- Raste të mëparshme të shtatzënisë jashtë mitre
- Kirurgji abdominale apo të legenit
- Prania e sëmundjeve inflamatore pelvike apo abdominale
- Ndërprerjet e vullnetshme të shtatzënisë (abortet)
- Duhanpirja
- Endometrioza
Cilat janë shenjat e një shtatzënie ekstrauterine?
Shenjat e para të një shtatzënie ekstrauterine mund t’ju duken krejt normale për periudhën e fillimit të shtatzënis. Kjo patologji shoqërohet me simptoma të tilla si:
- Dhimbje të mprehta ose therëse në pjesen e poshtme të barkut, kockën e legenit, madje në disa raste edhe në shpatulla e deri në qafë)
- Të përziera apo të vjella
- Dobësi, marramendje ose zbehje
- Gjakrrjedhje vaginale, qofshin këto më të pakta apo më të shtuara sesa gjatë ciklit menstrual
Është shumë e rëndësishme të kontaktoni menjëherë mjekun nëse keni dhimbje të forta që zgjasin për disa minuta në mënyrë të përsëritur, ose nëse keni gjakrrjedhje.
Si diagnostikohet shtatzënia ekstrauterine?
Shtatzënia jashtë mitre diagnostikohet vetëm nga mjeku specialist gjinekolog. Mjeku, pasi të ketë marrë një histori të hollësishme të të dhenave shqetesuese, palpon barkun (prek me dorë në sipërfaqe dhe në thellësi) për të kuptuar nëse është i dhimbshëm dhe nëse po, përcakton me përafërsi zonën ku është i dhimbshëm. Më pas nëpërmjet ekzaminimit ekografik (kryesisht vaginal) përcakton nëse embrioni është i vendosur jashtë mitre dhe nëse po, cila është vendndodhja e saktë e tij. Nëse embrioni është vendosur në uterus dhe shtatzënia ka ecuri normale konkludohet cila është origjina e dhimbjeve dhe ankesave që ka gruaja, duke sugjeruar terapinë përkatëse.
Një rëndësi të veçantë merr edhe matja e niveleve të b-HCG-së e cila nëse është pozitive dhe ekografikisht nuk ka shenja shtatzënie brenda në mitër mund të sinjalizojë prezencën e shtatzënisë ekstrauterine, edhe në rastet kur shfaq vlera më të ulëta sesa norma.
Po ashtu nivelet e ulëta të progesteronit mund të jenë shenjë e një shtatzënie jashtë mitre.
Si trajtohet shtatzënia ekstrauterine?
Nëse shtatzënia ekstrauterine është diagnostikuar herët (fetusi është i vogël) dhe nuk ka rrezik për një rupturë (çarje) të menjëhershme të tubit të Falopit, në varësi të situatës shëndetësore të gruas dhe dëshirën e saj për shtatzëni në të ardhmen, mjeku specialist do të diskutojë me pacienten për të marrë një vendim mbi mënyrat e trajtimit.
Mënyrat e trajtimit janë:
- Trajtimi Medikamentoz
Kur shtatzënia ekstrauterine është diagnostikuar herët, nuk janë zhvilluar ende rrahjet fetale, dhe kur nivelet e hormonit të shtatzanisë “b-HCG” janë të ulta, rekomandohet trajtimi me medikamente (Methotrexate).
- Trajtimi Kirurgjikal
Në rastet kur shtatzënia ekstrauterine është mbi 6-7 javë, dallohen rrahjet fetale, nivelet e b-HCG-së janë të larta dhe në rastet më të avancuara, kur ka likid të lirë në bark (gjak), mundësia më e mirë e trajtimit është ajo kirurgjikale.
Rreziqet e shtatzënisë ekstrauterine:
Mosdiagnostikimi në kohë është i rrezikshëm për jetën e gruas shtatzënë, sepse një shtatzëni që zhvillohet në tub mund të çajë tubin e Falopit, me pasojë hemorragji të madhe dhe të pa kuptueshme brenda abdomenit.
Nëse një grua ka patur një shtatzëni ekstrauterine, rreziku për të patur një shtatzëni të dytë të tillë është 30% më i lartë.
Trajtimi kirurgjikal i shtatzënisë ekstrauterine
Në Spitalin Hygeia Tiranë, trajtimi kirurgjikal i shtatzënisë ekstrauterine kryhet me metodën laparoskopike (të mbyllur). Teknika kirurgjikale është e ndryshme në varësi të vendit të implantimit të shtatzënisë. Në rast se ajo vendoset në tub, proçedohet me heqjen e tubit. Nëse është e vendosur në vezore, apo diku tjetër (raste shumë të rralla) bëhet pastrimi i zonës së implantuar.
Teknika laparoskopike është mënyra operatore më e mirë për pacienten, duke qënë se dhimbjet pas operacionit janë minimale, bëhen vetëm disa prerje të vogla dhe zakonisht pacientja largohet nga spitali të nesërmen e ditës së operacionit.
Pamje nga mitra – Me shtatzëni Ekstrauterine
Pamje nga mitra – Pa shtatzëni ekstrauterine
Departamenti Obstetri-Gjinekologji
Spitali Hygeia Tiranë
Tel: + 355 4 23 90 000