Stenozat e Arteries Karotide dhe Pasojat e saj
Arteriet karotide janë dy arteriet kryesore që furnizojnë trurin me gjak. Ato ndodhen në dy anët e qafës. Stenoza e arteries karotis është ngushtimi i kësaj arterie nga pllakat aterosklerotike.
Pse dhe si shkaktohet stenoza e arteries karotis?
Si të gjitha arteriet e trupit edhe arteriet karotide mund të preken nga ateroskleroza. Ateroskleroza është një proçes “i plakjes” së arterieve që zhvillohet dhe avancon gradualisht duke filluar që në moshë të re. Faktorët kryesore që nxisin zhvillimin e aterosklerozës janë hipertensioni arterial, niveli i lartë i kolesterolit në gjak (hiperkolesterolemia), pirja e duhanit dhe sëmundja e Diabetit. Ateroskleroza karakterizohet nga grumbullimi i yndyrnave në muret e arterieve. Këto grumbullime nxisin disa proçese të cilat çojnë gradualisht në formimin e pllakave aterosklerotike në brendësi të arteries. Këto pllaka ngushtojnë vetë arterien (stenoza e arteries) dhe bëhen pengesë për kalimin e gjakut në to. Arteriet që preken më shpesh nga ateroskleroza janë arteriet koronare (arteriet që furnizojnë zemrën), arteriet karotide dhe arteriet e gjymtyrëve të poshtme.
Cilat janë pasojat e stenozës?
Zhvillimi i pllakave aterosklerotike në arteriet karotide mund të shkaktojë komplikime. Rritja e vazhdueshme e pllakave shkakton ngushtimin gjithnjë e më të madh të arteries deri mbylljen e saj nga tromboza dhe ndërprerjen e menjëherëshme të kalimit të gjakut drejt trurit. Një tjetër komplikim është edhe çarja e pllakës. Në momentin e çarjes, përmbajtja yndyrore e saj rrëmbehet nga rrjedha e gjakut dhe shkon drejt trurit duke mbyllur atje degë të arteries që furnizojnë pjesë të trurit. Secili nga mekanizmat e mësipërm shkakton ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit me gjak dhe me oksigjen të një pjese të trurit. Kjo njihet si insulti cerebral dhe shfaqet me paralizë të një pjese të trupit. Kur bllokohet qarkullimi i gjakut në arterien karotide të djathtë vuan gjysma e djathtë e trurit e cila komandon gjysmën e majtë të trupit, pra paraliza shfaqet majtas. E kundërta ndodh kur bllokohet qarkullimi në arterien e majtë. Paraliza mund të prekë vetëm krahun, mund të shoqërohet me vështirësi në të folur (afazi) ose mund të përfshijë gjysmën e trupit. Në format më të rënda sëmundja është kercenuese për jetën.
Si ta zbulojmë nëse kemi stenoze të arteries karotide?
Në përgjithësi stenoza e arteries karotis nuk paraqet shenja të dallueshme nga pacienti. Në disa raste pacienti mund të pësojë paraliza momentale të gjymtyrëve, vështirësi në të folur ose errësim të pamjes nga njëri sy që kalojnë vetë pas pak minutash. Këto njihen si atake ishemike cerebrale tranzitore (TIA) dhe janë shenja paraprake të stenozes së arteries karotis. Pacientët që kalojnë një atak tranzitor janë shumë të rrezikuar të pësojnë insult cerebral pas pak kohësh. Shpesh sëmundja zbulohet pasi ka ndodhur një insult. Për këtë arsye është e rëndësishme zbulimi I sëmundjes përpara se të japë shenja.
Ekzaminimi për arteriet karotide kryhet me Echo Doppler. Ky është një ekzaminim shumë i thjeshtë, pa dhimbje dhe pa pasoja për pacientin. Gjatë ekzaminimit vlerësohet pranie e grumbullimeve yndyrore në muret e arterieve, prania e pllakave dhe shkalla e stenozës si dhe vlerësohet qarkullimi I gjakut drejt trurit. (fig. 4: ekzaminimi Echo Doppler)
Kush duhet të ekzaminohet?
- Individët që kanë hipertension arterial, që kanë kolesterol të lartë si dhe diabetikët
- Pacientët me sëmundje të arterieve koronare
- Pacientët që kanë pësuar atake ishemike cerebrale tranzitore (TIA)
- Të gjithë njerëzit pas moshës 60 vjeç.
Në rastet kur zbulohet prania e stenozës ekzaminimi përsëritet në mënyrë periodike për të vlerësuar avancimin e sëmundjes.
Si mund të parandalojmë zhvillimin e stenozës së arteries karotide?
Mënyra më e mirë për parandalimin e arterosklerozës si dhe të stenozës së arterieve karotide është mos pirja e duhanit, mjekimi i rregullt i tensionit arterial dhe diabetit, marrja e medikamenteve që ulin nivelin e kolesterolit dhe e medikamenteve që pengojnë formimin e trombeve si Aspirina apo Clopidogreli. Në çdo rast mjekimi duhet të përshkruhet vetëm mjeku specialist. Këto janë edhe masat trajtuese në rastet kur stenoza është zhvilluar por nuk ka ende arsye (indikacion) për riparim.
Si dhe kur trajtohet stenoza e arteries karotide?
Ekzistojnë dy mënyra për riparimin e stenozës së arteries karotide. Metoda kirurgjikale dhe metoda endovaskulare. Metoda kirurgjikale kryhet zakonisht me anestezi të përgjithshme, nëpërmjet një inçizioni (prerje) në anën e qafës. Arteria ekspozohet, hapet, hiqet pllaka aterosklerotike që ka shkaktuar stenozën dhe arteria qepet përsëri. Metoda endovaskulare kryhet pa anestezi dhe pa prerje. Mjeku kateterizon një arterie, zakonisht arterien femorale në rreze të kofshës dhe përmes saj futen nëpër enët e gjakut sonda dhe katetere që arrinje deri në vendin e stenozës. Aty vendoset një stent dhe arteria zgjerohet me anë të një baloni. Të dyja teknikat e riparimit kanë rrisk të ulët për komplikime. Në përgjithësi (këshillohet) indikohet ndërhyrja kirurgjikale. Në pacientë të caktuar preferohet ndërhyrja endovaskulare.
Vendimi për riparimin e arteries karotide bazohet në dy elementë: a ka dhënë shenja sëmundja dhe nga shkalla e ngushtimit të arteries.
- Në pacientët tek të cilët sëmundja nuk ka dhënë asnjë shenjë dhe është zbuluar gjatë ekzaminimit riparimi rekomandohet kur shkalla e ngushticës (stenozës) është mbi 70%. Në pacientët pa shenja dhe te pacientët mbi 75 vjeç rekomandohet kontrolli periodik dhe trajtim parandalues me masat që përmendëm më lart.
- Te pacientët që kanë pësuar insult dhe janë përmirësuar dhe te pacientët që kanë pësuar atake tranzitore (TIA) ndërhyrja rekomandohet edhe në gradë më të ulta të stenozës.
Departamenti i Kirurgjisë Vaskulare
Spitali Hygeia Tiranë
Tel: + 355 4 23 90 000